Duke filluar nga nesër në orën 13:00 deri të hënën në orën 5:00, gjithçka do të jetë e mbyllur, dhe asnjë kalimtar nuk do të lejohet të dalë!

Kryeministri Edi Rama ka ripërsëritur edhe këtë fundjavë masën e izolimit që është marrë për dy javët e fundit në të gjithë qytetet e Shqipërisë, në kuadër të frenimit të përhapjes së koronavirusit.

Kreu i qeverisë ka thënë më herët se nëse shifrat e të prekurve deri të dielën do të jenë të qëndueshme atëherë do të ketë lehtësira për qytetarët, por me pikatore. Rama bëri thirrje të mos entuziasmohemi para kohe, por të bëjmë durim:

“Po studiojmë disa lehtësime të lëvizjes, që t’i kemi gati, me ndihmën e Zotit, duke filluar me pikatore nga java e ardhshme, po qe se numrat deri të dielën do të na e lejojnë ta marrim në konsideratë përdorimin e pikatores. Prisnim një kërcim të numrave në javën që lamë pas, mirëpo nuk ndodhi, çka na bën disi më optimistë se sa ishim në nisje, por kjo nuk do të thotë asgjë sot për sot”.