Rindërtimi i shkollës dëmton pallatin në Durrës, banorët në udhëkryq për dëmtimet

22/02/2021 - 18:14

Procesi i rindërtimit të shkollave të dëmtuara nga tërmeti i 26 nëntorit 2019, ka nisur në gjithë vendin prej disa muajsh, edhe pse nuk është gati të mbarojë në shumë qytete. Por ky proces po shkakton dëme në ndërtesat përreth, që sipas banorëve dhe ekspertëve po shkaktohet nga nxitimi për të përfunduar sa më shpejt rindërtimin e objekteve arsimore. Një rast i tillë ka ndodhur në Durrës, ku vihet re se rekomandimet e ekspertëve, por dhe Institutit të Ndërtimit nuk janë marrë parasysh, ndërsa banorët ndihen të rrezikuar për të jetuar në këtë pallat.

Historia lidhet me rindërtimit e shkollës “Qemal Mici”, në rrugën "Hysen Kërtusha" në lagjen 16 të Durrësit. Kjo shkollë u dëmtua shumë nga tërmeti i 26 nëntorit 2019, dhe në qershor të vitit 2020 iu hap rruga procesit të rindërtimit. Në fund të muajit gusht, kompania që kishte marrë përsipër zbatimin e projektit për rindërtimin e kësaj shkolle, filloi të gërmonte tokën për themelet e shkollës, pranë pallatit nr. 784, 5-katësh, i cili ndodhet ngjitur me rrethimin e objektit arsimor.

Por nga kjo ndërhyrje, pallati, i cili ka një shtesë anësore përbri shkollës, pësoi dëmtime të shumta. Dëmtimet më të mëdha i mori në pjesën ku ngjitej godina ekzistuese (e ndërtuar para viteve ‘90) me shtesën (e ndërtuar në vitin 1997). Banorët u alarmuan që në muajin shtator, duke ngritur zërin për dëmtimet e pësuara në pallat, ndërkohë që fillimisht, askush nuk i dëgjoi.

“Pallati pësoi dëme të lehta nga tërmeti, por gjatë punimeve për shkollën pësoi çarje të mëdha që nuk na jep siguri për të jetuar brenda tij”, u shpreh një nga banorët.

Në këtë pallat jetojnë 10 familje që tregojnë se ndjehen të kërcënuara, dhe më herët kanë kërkuar me një shkresë zyrtare në Bashkinë Durrës, ndërprerjen e punimeve ose vlerësimin e rrezikut të mundshëm të thellimit të dëmit të pallatit. “Kërkojmë që të merren masat dhe të na jepet garanci për pallatin. Nëse duhet të qëndrojmë brenda apo duhet të dalim jashtë”, tregojnë të tjerë banorë.

Ata thonë se e kanë ngritur alarmin pranë institucioneve qendrore dhe lokale, por shqetësimi nuk ka gjetur zgjidhje. “Këtu ka ardhur një specialist nga ministria, i cili tha që nuk keni gjë fare, këtë dëm ua ka bërë tërmeti”, rrëfeu për Portën Vendore Dragua Dragoj.

Për këtë arsye, Porta Vendore kontaktoi me Bashkinë e Durrësit në lidhje me këtë shqetësim të banorëve. Në përgjigje të bashkisë, deklarohet se Shkolla “Qemal Mici”, e cila po ndërtohet përbri këtij pallati, me grantet e rindërtimit, nën mbikëqyrjen e Fondit Shqiptar të Zhvillimit, si autoritet kontraktor, solli dëmtimet e këtij pallati të shprehura në ankesën e qytetarëve pranë Bashkisë Durrës që më 2 shtator 2020. “Pasi Bashkia verifikoi dëmet e shkaktuara  në pallatin nr. 784, menjëherë dërgoi shkresë zyrtare pranë Fondit Shqiptar të Zhvillimit si dhe Institutit të Ndërtimit. Me kryerjen e ekspertizës së thelluar nga ana e Institutit të Ndërtimit  u mbajt një raport, i cili iu delegua Bashkisë Durrës dhe ne vumë në dijeni Fondin Shqiptar të Zhvillimit për marrjen e masave mbi riparimet e dëmeve në pallatin 784, pranë shkollës”, deklaroi Bashkia Durrës për Portën Vendore.

Raporti i Bashkisë dhe Institutit të Ndërtimit

Sipas shkresave të vëna në dispozicion, rezulton se dëme janë shkaktuar në disa pjesë të pallatit për shkak të punimeve për rindërtimin e shkollës. “Në fasadën kryesore nga hyrja në pallat, kati përdhe deri në katin e pesë, kishte fugë të dukshme vertikale ndërmjet ndërtimit të ri dhe ekzistues së banesës nr. 784. Në katet 3, 4 dhe 5, në prezencë të banorëve, nga ana e shtesës lindore, u vunë re çarje të dukshme të fugës së bashkimit të ndërtimit shtesë dhe ekzistues të këtyre ambienteve në dyshemenë dhe tavanet e tyre, përfshirë dhe tarracën. Më serioze çarjet e pësuara ishin në katet e sipërme”, thuhet në raportin e Bashkisë Durrës, ku vihet në dukje se “këto dëmtime janë deri tani, kur në objektin ri të shkollës që po ndërtohet, punimet janë në themel të saj, pa marrë ngarkesat të tjera ndërtimore me shtimin e kateve”.

Ndërkohë, Instituti i Ndërtimit, në raportin e tij kishte konstatuar se nga se ishin shkaktuar këto dëmtime. Sipas konkluzioneve të Institutit të Ndërtimit, shkak kryesor është ndërhyrja e kompanisë gjatë rindërtimit të shkollës.

“Sheshi i ndërtimit përbëhet nga dhera të dobët dhe kemi prezentë të madhe të ujërave nëntokësore në të, për pasojë kjo sjell amplifikim të ngarkesave dinamike si gjatë tërmetit edhe gjatë punimeve ndërtimore për shkollën e re. Këtu mund të përmendim pajisjet që kanë realizuar shembjen e shkollës së vjetër si dhe makineritë që kanë bërë vibrimin e shtresës së zhavorrit poshtë themelit të bodrumit të shkollës së re aty pranë. Një arsye tjetër që ka sjellë dëmtimet e mësipërme strukturore është edhe heqja e ujërave nëntokësorë për një kohë të shkurtër me qëllim ndërtimin e katit nëntokësor të shkollës aty pranë. Kjo ka ndryshuar kushtet fiziko-mekanike të dherave të bazamentit të shtesës që ndodhet ngjitur me shkollën e re. Duke marrë parasysh statusin aktual të dëmtimit të ndërtesës, riforcimi strukturor është i mundur të bëhet në pjesët e dëmtuara të saj, sipas mendimit të ekipit tonë. Në këto kushte rekomandohet të bëhet evakuimi i banorëve nga zonat e dëmtuara të kësaj ndërtese deri në përforcimin e plotë të saj”, thuhet ndër të tjera në raportin e Institutit të Ndërtimit. Pra, Instituti i Ndërtimit, veçse nxjerr shkaqet e dëmtimit në pallatin 5-katësh, rekomandon evakuimin e banorëve deri në rikonstruksionin e nevojshëm.

Rikonstruksioni me shumë pikëpyetje

Pas këtyre dy raporteve, sipas të dhënave zyrtare nga Bashkia e Durrësit, por dhe nga banorët, është përcaktuar që riforcimi strukturor të bëhet nga vetë kompania, e cila ka shkaktuar dëmin, por askush nuk është kujdesur për të larguar banorët. “Askush nuk na njoftoi veçse pamë kompaninë që vuri skelat dhe erdhi për të kryer punimet. Askush nuk na tha se çfarë do bëhet. Distanca e shkëputjes mes pallatit është rreth 15cm, i cili është mbushur me material ndërtimi të njohur si “lesh xhami” dhe sipër është vendosur gips. Të njëjtat materiale janë përdorur edhe në pjesë të tjera”, shprehet Dragua Dragoj.

Një tjetër banore, Evstathi Llapi shprehet se “nuk ndjehen të sigurt për mënyrën sesi është punuar për rikonstruktimin e pallatit, pasi duke marrë shkas nga niveli i dëmit dhe materialet e përdorura, duket se ndërhyrja nuk është aspak e sigurt”.

Gjatë verifikimit në terren në disa ditë të ndryshme të punimeve, u konstatuan se përveç ndërhyrjes në pjesën e brendshme, kishte dhe ndërhyrje në të çarën e krijuar mes pallateve, ku tre shufra metalike mendohet të mbajnë të bashkuar pallatin dhe mbi to është vendosur një mbulojë metalike, e cila nuk lë të dallohen shufrat.

Duke marrë shkas nga deklaratat e banorëve, Porta Vendore tentoi të kontaktojë me kompaninë që po bën rindërtimin, dhe u kërkua një kopje e projektit për ndërhyrjen në objekt apo rikontruktimin, por këto informacione nuk mund të siguroheshin, pasi në objekt jo vetëm që nuk kishte një kopje të projektit, por sipas punonjësve “inxhinieri nuk ndodhej në objekt”.

Por në cilësinë e ekspertit, inxhinieri Gazmend Oketa e cilësoi ndërhyrjen aspak profesionale. “Jam njohur me këtë ndërhyrje jo të zakontë. Referuar këtij objekti duhet të na bien kambanat e alarmit. Banorët kanë bërë dhe një kallëzim në prokurori për shkak se shtesa anësore e tyre ka pësuar çarje për shkak të prishjes së shkollës së vjetër dhe rindërtimit të shkollës së re. Ndërsa së fundmi jam vënë në dijeni me një proces, i cili synon të ndalojë cedimin e mëtejshëm të shtesës anësore të këtij pallati, por me sa kam parë nga fotot dhe nga filmimet që më kanë dërguar banorët, gjykoj se është një ndërhyrje jo shumë profesionale, për të mos thënë aspak profesionale, nuk do të nxitohesha pa parë një projekt konkret, por fillimisht jam njohur me këtë ndërhyrje nëpërmjet rrjeteve sociale nëpërmjet një kolegu, i cili e ka bërë publike këtë lloj ndërhyrje, jo të zakontë dhe ka dy momente, që na bëjnë që referuar këtij objekti, të na bien kambanat e alarmit. Problemi i parë ka të bëjë me sigurinë e atyre banorëve, apo mos-sigurinë që kjo ndërhyrje u jep banorëve, por në fakt duhet të ketë dhe një shqetësim tjetër, akoma më të madh që ka të bëjë me procesin e rindërtimit të shkollës, pasi në mos gaboj nga informacionet që kam, e njëjta kompani që është marrë me procesin e rindërtimit të shkollës, është marrë dhe me procesin e korrigjimit të këtyre defekteve të shkaktuara në këtë ndërtesë për shkak të ndërhyrjes të pamenduar, të paparashikuar, ose me teknologjinë jo të duhur gjatë prishjes me ngut dhe rindërtimit po me ngut të shkollës. Kështu që ka dy momente që duhet të na shqetësojnë, banesa e banorëve, jeta e atyre që jetojnë në këtë pallat, por sigurisht edhe shkolla, pasi pa dashur të krijoj asnjë situatë paniku, në atë shkollë do të hyjnë nxënësit. Por, një kompani që bën zgjidhje të tilla sigurisht ngre shumë pikëpyetje mbi cilësinë e punimeve apo ekspertizën e mjaftueshme në punimet dhe në objektin që në rastin konkret është shkolla. Kështu që në gjykimin tim, do të duhej që detyrimisht autoritetet përgjegjëse të ndërhyjnë në kuptimin profesional, teknik të fjalës, do të duhej që autoritetet më të larta të ngarkonin ekspertët përkatës për të bërë verifikimin”, shprehet Oketa. Më tej, ai vë në dukje se për të folur konkretisht mbi ndërhyrjen dhe arsyet e shkaktimit të dëmit do të duhej që projekti të ishte transparent.

Megjithatë, kjo tashmë i ka mbetur në dorë prokurorisë për të kryer këtë verifikim, pasi banorët i janë drejtuar me një kallëzim penal. Porta Vendore pyeti dhe pranë prokurorisë së Durrësit lidhur me kallëzimin, ku burimet u shprehën se “vazhdon hetimi”. Megjithatë, derisa hetimi i prokurorisë të përfundojë, banorët vazhdojnë të banojnë në këtë pallat me frikë dhe me shpresën se atë që nuk ua bëri tërmeti, mos t’ua bëjë shteti.

/portali DurresLajm/

Na bëni like në facebook!: 

Lajme nga e njëjta kategori

2 muaj më pas, më 25 prill, shqiptarët do t’u drejtohen kutive të votimit për të zgjedhur anëtarët e rinj të parlamentit dhe forcën polit

Ministria e Shëndetësisë ka njoftuar se në 24 orët e fundit kanë humbur jetën 21 persona nga COVID-19, ndërsa janë konfirmuar 986 raste t

Është zhvilluar me mjete të komunikimit elektronik mbledhja e rradhës e këshillit bashkiak të Durrësit ku u miratuan disa vendime të rënd

Një ditë pasi Prokuroria e Tiranës dha pretencën për Griseldo Kusin, autorin e vrasjes duke kërkuar 21 vjet burgim, prindërit e Indrit Çe

Kryebashkiakja e Durrësit, Emiriana Sako ka inspektuar punimet në kopshtin "Met Hasa" i cili u dëmtua rëndë nga tërmeti.

Këshilli i Lartë Gjyqësor ka shtyrë vendimin për gjyqtaren Enkelejda Hoxha.

Ministrja e Arsimit, Sportit dhe Rinisë, Evis Kushi ka shpërndarë në rrjetet e saj sociale një album me foto nga shkolla të ndryshme të v

Strukturat e Policisë Durrës, krahas përmbushjes së detyrave funksionale për parandalimin dhe goditjen e paligjshmërisë, kanë vijuar kont

Policia e Durrësit ka vënë në pranga dy persona dhe ka shpallur në kërkim një tjetër të cilët akuzohen për një ngjarje të ndodhur në viti

Kryetarja e Komitetit Teknik, njëkohësisht edhe zëvendës ministrja e Shëndetësisë është pyetur nga gazetarët se çfarë masash janë marrë p