Rreth 500 pasagjerë të mbetur në Shqipëri kanë udhëtuar mbrëmjen e sotme drejt Italisë me tragetin AF Marina të nisur nga porti i Durrësit.

DurrësLajm mëson rreth 500 pasagjerë kanë udhëtuar drejt portit të Barit, për të shkuar më pas në destinacionin final të tyre.

Që nga fillimi i muajit mars, lëvizja e pasagjerëve me traget nga porti i Durrësit u pezullua deri në një vendim të dytë të qeverisë Rama, si masë kufizuese për të parandaluar përhapjen e koronavirusit.

Ndërprerja e udhëtimeve detare dhe ajrore pengoi shumë udhëtarë shqiptarë apo të huaj që mbetën në vendin tonë apo në tokën përtej Adriatikut, pa mundësi kthimi.

Ndërsa përmes aeroportit të Rinasit kanë nisur prej dy javësh riatdhesimet, përmes portit të Durrësit kanë qenë shumë më të pakta rastet kur shtetas shqiptarë të mbetur në Itali janë rikthyer në vendin tonë apo shtetas italianë të kenë udhëtuar drejt vendit të tyre të lindjes.

Lehtësimi i masave kufizuese pritet të shoqërohet edhe me rikthimin e udhëtimit të pasagjerëve me tragete nga porti i Durrësit drejt porteve italiane.

Ndërkohë sot, u njoftua se duke nisur nga e enjtja e kësaj jave rikthehet linja me traget Durrës-Ankona dhe anasjelltas vetëm për transportin e mallrave. Linja ishte pezulluar që nga shfaqja e pandemisë Covid-19 në vendin tonë.