Në ditët e para pas tërmetit shkatërrimtar të 26 nëntorit, policia bashkiake pati rrethuar me shiritin bllokues ish-godinën e hetuesisë në lagjen nr.3 të qytetit. Kjo për shkak se prej tërmetit ajo kishte pësuar dëme të mëdha, kjo edhe për shkak të amortizimit gjatë viteve.

Por shiriti bllokues qëndroi vetëm ditët e para dhe më pas u hoq. Siç shpjegojnë vetë banorët e pallatit për DurrësLajm, shiriti u hoq nga pronarët e bizneseve që ushtrojnë aktivitetin e tyre në katin e parë të godinës dhe të pallatit ngjitur me ish-hetuesinë.

Pavarësisht ankesave të vazhdueshme të banorëve të pallatit 10 katësh, të cilët i tremben dëmeve të shumta të godinës shumë vjeçare dhe faktit se ajo është mbështetur me pallatin shumëkatëësh, shiriti bllokues nuk është rivendosur më.

Për shkak se një pjesë e suvasë së ish-hetuesisë rrezikonte të binte, kanë qenë vetë banorët e pallatit ngjitur që kanë ndërhyrë për ta shembur, para se të shkëputej vetë dhe të lëndonte kalimtarët, apo personat që frekuentojnë lokalin ngjitur.

Shembja është bërë pasditen e sotme dhe ishin lajmëruar bizneset aty ngjitur. Në momentin e shembjes aty nuk kishte kalimtarë, pasi zona ishte rrethuar.

“Bashkia është lajmëruar 3 herë pas tërmetit të 21 shtatorit dhe mbi disa herë pas tërmetit të fundit. Konkluzioni, kishin vendosur një shirit të kuq të cilin në çmendurinë e tyre e kanë hequr lokalet poshtë dhe duke qenë se njerëzit kalonin nën godinën shumë të dëmtuar, atëherë u detyruan vetë njerëzit e pallatit të ndërhynin”,– tregon për DurrësLajm një nga banorët e zonës.

Banorët fajësojnë bashkinë se me mos marrjen e masave të nevojshme rrezikonte të shkaktonte persona të lënduar nëse suvaja e dëmtuar do të shkëputej vetë.