Këshilli Bashkiak Durrës ka kaluar me shumicë votash pikën nr.5 të rendit të ditës që kishte të bënte me rritjen e çmimit të abonesë mujore për 6 linjat e transportit urban në qytetin bregdetar.

Po ndërsa 31 këshilltarë bashkiakë shprehën me votën e tyre dakordësinë për rritjen e çmimit të abonesë për një linjë në vlerën 1200 lekë (ishte 900 lekë) dhe 1600 lekë për abonenë për të gjitha linjat (ishte 1200 lekë), 4 këshilltarë (Flutura Kasa, Violeta Muhedini, Morena Boja dhe Etleva Velçani) votuan kundër kësaj pike.

Dy këshilltaret Flutura Kasa dhe Violeta Muhedini votuan kundër dhe shpjeguan në mbledhje edhe arsyet e kësaj vote kundërshtuese.

Sipas Violeta Muhedinit dhe Flutura Kasës, rritja e çmimit të abonesë mujore prek drejtpërdrejt xhepat e qytetarëve durrsakë që përdorin transportin urban, ndërkohë që ky shërbim lë për të dëshiruar.

“Unë i heq çdo ditë në kurriz, çdo ditë e prek me familjen time shërbimin e transportit urban. Në autobuzë nuk ka shërbim për invalid. Ka shumë njerëz si unë që udhëtojnë dhe presin abonenë. Kam një invalid në shtëpi dhe kur udhëton me autobuz nuk i njihet karta e invaliditetit.” – tha njëra prej këshilltareve.

Ndërkohë, kryetari i Këshillit Bashkiak Ani Dyrmishi shpjegoi se rritja e çmimit të abonesë mujore lidhet me rritjen e çmimit të biletës, që u realizua në korrik 2019. Sipas Dyrmishit, tani po bëhet vetëm indeksimi i vlerës së abonesë mujore.

E vetmja që nuk pësoi ndryshim nga 3 abonetë mujore që përdoren në transportin publik në Durrës është aboneja e studentit, që mbetet në vlerën 600 lekë.

Rritja e çmimit të biletës së transportit urban në Durrës nga 30 lekë në 40 lekë të reja hyri në fuqi më 1 korrik 2019, vetëm një ditë pas zgjedhjeve të 30 qershorit, të shumëkontestuara për shkak të bojkotit të tyre nga ana e opozitës.

M.B.