Ditët e fundit ka pësuar rritje çmimi i miellit. Sipas burimeve të DurrësLajm, në shitjet me shumicë për furrat e bukës, çmimi i një kilogrami miell nga 46 lekë/kg ka shkuar në 51 lekë/kg.

Sipas grosistëve, pritet të ketë një rritje të mëtejshme të çmimit dhe por arsyet reale të kësaj rritje nuk janë zbardhur ende. Grosistët justifikohen me faktin se me këtë çmim u vjen nga fabrika.

Nga ana tjetër, shumë prodhues buke po ndjejnë vështirësi në aktivitetin e tyre, për shkak se kanë mungesë të fuqisë punëtore. Prej më shumë se dy javësh, vendi është në karantinë dhe biznese të ndryshme janë ankuar për mungesën e stafit, pasi shumë punonjës nuk paraqiten në punë nga frika e koronavirusit.

Sipas disa prodhuesve të bukës, nëse çmimi i miellit me shumicë do të vazhdojë të rritet dhe situata e vështirë e krijuar prej koronavirusit do të vazhdojë gjatë, pritet të rritet çmimi i bukës, ose në të kundërt ata do të jenë të detyruar të ulin qepenat e bizneseve të tyre.