Është zhvilluar mbledhja e radhës e Shtabit të Emergjencave të Qarkut Durrës nën drejtimin e kreut të këtij shtabi zv/ministres së Brendshme Rovena Voda. Kryetari në detyrë i bashkisë së Durrësit, Zhuljen Varfaj theksoi se puna vijon intensivisht në mbarëvajtjen e procesit të konstatimit të dëmeve nga grupet në terren, në menaxhimin e banorëve të strehuar në strukturat hoteliere, në procesin e dhënies së lejeve të ndërtimit për rekuperimin e dëmeve nga tërmeti, për procesin e bonusit të qerasë si edhe në implementimin e vendimit të qeverisë për tërmetin.

-Konkretisht në bashkinë Durrës, deri tani 1417 aplikantë i kanë kaluar Drejtorisë Ekonomike për zbatim ndërkohë që puna vijon për miratimin e aplikantëve të tjerë. Në dy listat paraprake të miratuara deri tani nga këshilli bashkiak janë gjithsej 3863 emra.

-Aktualisht ndodhen nëpër hotele rreth 1500 qytetarë nga 3000 persona që ishin të strehuar në dhjetor.

-Bashkia e Durrësit ka miratuar 29 leje të përshpejtuara për riparimin e objekteve si pasojë e fatkeqësive natyrore. Këto objekte janë kryesisht pallate dhe afati i punimeve është nga 3 muaj deri në 5 muaj. Pas përfundimit të punimeve vetëm në këto 29 objekte do të rikthehen 913 familje të prekura nga tërmeti.

Në mbledhjen e shtabit të emergjencave ishin të pranishëm prefekti Roland Nasto, zv/ministrja e drejtësisë Fjoralba Caka, koordinatori i Zyrës së Bashkëqeverisjes Ernest Pupla, si edhe përfaqësues nga Drejtoria Vendore e Policisë së Qarkut Durrës.