Rritja drastike e numrit të aksidenteve rrugore ka bërë që 15 të rinj nga 4 shkolla të mesme të Durrësit “Gjergj Kastrioti”, “Naim Frashëri”, “Beqir Çela” dhe “Rilindja” të dalin në terren në kuadër të projektit “Një ditë polic trafiku në qytetin tim”. Gjimnazistët 'janë kthyer' për pak minuta në policë të qarkullimit rrugor me qëllim sensibilizimin e komunitetit në drejtim të respektimit të rregullave të qarkullimit rrugor.

Aktiviteti i zhvilluar në qendër të Durrësit pranë Maazoleumit të Dëshmorëve u organizua nga Qendra “Konsumatori shqiptar”, në bashkëpunim me Drejtorine Vendore të Policisë, qarku Durrës, me mbështetjen e Programit Suedez “Për forcimin e policimit në komunitet” dhe Ambasadës Suedeze.

Të rinjtë bashkëpunuan me strukturat e Policisë Rrugore me qëllim rritjen e nivelit të ndërgjegjësimit të komunitetit për të respektuar rregullat e qarkullimit rrugor, veçanërisht për këmbësorët për të respektuar sinjalistikën rrugore e për të kaluar në vijat e bardha.

Qytetarët e Durrësit shtruan problemin e mungesës ose fshirjes së këtyre vijëzimeve në segmente të caktuara rrugore.

Strukturat e policisë shprehën interesin e tyre që aktivitete të tilla i shërbejnë afrimit dhe bashkëpunimit midis tyre dhe qytetarëve durrsakë.

K.H.