Ish-zonat ushtarake në Durrës janë kthyer me shpejtësi në zona turistike. Një prej tyre është zona e Kallmit. Izolimi i ka ruajtur të pastra këto hapësira, që përbëhen nga plazhe të vogla dhe piktoreske.

Vetëm 3 kilometra nga qëndra e Durrësit, plazhi i Kallmit po zbulohet nga përherë e më shumë turistë, tani që është hequr statusi i tyre si zona të izoluara ushtarake. Janë shumica të rinj ata që i drejtohen Kallmit për pushim ditor, ku pas një rruge të keqe, gjejnë mjedise dhe lokale tërheqëse. Plazhet e Kallmit nuk njihen mirë as nga vetë banorët e Durrësit, ngaqë ka qenë zonë e ndaluar, por kjo ka bërë të ruhet aty uji i pastër, qetësia, plazhe të vogla me gurë dhe pa ndërtime të rrëmujshme.

Kallmi po rizbulohet pasi ushtria zbrazi e largoi prej andej depo e tunele të panumërt me armë dhe lëndë shpërthyese. Pasi materialet ushtarake u dërguan në vende të sigurta, kodrat u pastruan nga bunkerët e shumtë të diktaturës, ndërsa pronarët e vjetër po mbjellin përsëri ullinj aty dhe po kujdesen për plazhet private.

Plazhet e pastra janë fare pranë qytetit dhe mbyllen larg me Kepin e Palit, por rruga është e pashtruar mungon informacioni dhe nuk ka ndonjë plan rregullues për këtë zonë turistike bregdetare, ndërsa zjarret zhveshin faqen e kodrës në verë dhe shiu në dimër gërryen dherat drejt bregdetit.

Durrësi ka 62 km vijë bregdetare dhe një mori plazhe të reja. Ishmi, Lalsi, Manza dhe Katundi i Ri po lidhen me superstradën Tiranë – Durrës me rrugë të reja, për të zhvilluar turizmin në këto komuna dikur plot bunkerë e të izoluara si reparte artilerie bregdetare apo kundërajrore kundër armikut imagjinar nga perëndimi. Shndërrimi i këtyre zonave ushtarake në zona turistike po bëhet me shpejtësi nga Hamallaj, Rrushkulli dhe Shën Pjetri deri në Kepin e Rodonit.

K.H.