Shëtitorja Taulantia dhe rruga që të con drejt saj nuk është vetëm zemra e qytetit turistik të Durrësit, por është edhe pasqyra me të cilën duhet të shikohet cdo ditë, nga i pari zyrtar tek i fundit. Kjo lagje mbetet simbol i qytetit 3 mijë vjeçar, për shkak se aty gjendet shëtitorja buzë detit, Muzeu Arkeologjik, por edhe restorantet më në zë që ka qyteti bregdetar.

Në këtë zonë elitare, ku çdo turist që vjen në Durrës do të kalojë me patjetër, infrastruktura është në ditën më të keqe të saj. Bashkia e Durrësit tenderoi në vitin 2018, 700 miionë lekë për rrugën që nis nga Veliera, por asfalti mbërriti deri në gjysëm të këtij aksi. Rruga u zgjerua duke marrë një pjesë të mirë nga shëtitorja Taulantia, deri tek një prej subjekteve të biznesit që gjendet tek hotel Arvi.

Aty rruga mbeti jo vetëm pa u zgjeruar, por edhe pa u asfaltuar, duke bërë që pjesa tjetër të ketë nevojë për rikonstruksion urgjent. Kazanët e plehrave, era e rëndë që vjen nga to, gropat e rrugës, ku makinat gulcojnë, sikur do japin shpirt, të shoqërojnë deri tek Brryli.

Të gjithë miqve kur mbërrijnë në Durrës, për t’i treguar qytetin do të bësh një vizitë këtu, tek shëtitorja e Sfinksit, ku gjenden pastiçeritë, restorantet dhe baret me emër, buzë detit. Prezantimi me këtë pjesë sa të bukur, njëkohësisht edhe të shëmtuar është turpi që duhet t’i skuqë fytyrën të gjithë zyrtarëve në Durrës, të cilët e kanë lënë në një derexhe të tillë, atë që quhet Vollga.

K.H.