Trotuaret e rrugës “Fetah Bllaca” pranë shkollës “Jusuf Puka” në Durrës janë kthyer në një kantier ndërtimi pak ditë nga nisja e procesit mësimor.

Qarkullimi i mjeteve është bllokuar tërësisht, ndërsa shumë e vështirë është për këmbësorët që i drejtohen kësaj rruge në këto ditë të para shtatori.

Drejtoria e mirëmbajtjes së rrugëve në bashkinë e Durrësit, mësohet se ka filluar rikonstrukionin e të dy trotuareve në këtë segment. Aljon Hysko, drejtor i kësaj ndërrmarrjeje, tha se do të kryhet rehabilitimi i 280 metrave katrorë trotuar, i cili ka qënë tejet i amortizuar.

Rehabilitimi i trotuareve konsiston edhe në shtrimin me pllaka të reja dekorative, vendosjen e kabujve të internetit dhe të ndriçimit për të gjithë segmentin. Pas përfundimit të punimeve në krahun e shkollës, punimet pritet të zhvendosen në krahun e polikinikës kryesore.

K.H.