Gjatë natës ka pasur reshje dëbore në juglindje dhe në veri të vendit. Sipas Autoritetit Rrugor Shqiptar kompanitë e mirëmbajtjes kanë qenë në punë me mjetet borëpastruese dhe është bërë shpërndarja e kripës. Po

ashtu njoftohet përdorimi i zinxhirëve në rrugët Korçë-Ersekë, Qafë Bigell-Dogana Goricë, rruga e Dardhës dhe e Voskopojës.

“Drejtuesit e mjeteve te tregohen të kujdesshëm, të jenë të pajisur me goma dimërore dhe të përdorin zinxhir në rrugët që kemi lajmëruar, të respektojnë sinjalistikën rrugore dhe udhëzimet e Policisë Rrugore”, theksohet në njoftimin e ARRSH-së.

Ndërkohë erërat e forta kanë dëmtuar rrjetin elektrik e për pasojë disa zona të Fushë-Krujës janë pa energji elektrike. Energjia është ndërprerë në Nikël, Bubq, Borizanë dhe Thumanë. Mungesën e energjisë e konfirmon dhe Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike, i cili deklaron se po punohet për riparimin e linjave.