Gazetari Artan Hoxha ka zbardhur detaje të reja në lidhje me të shkuarën e Landi Muharremit të njohur ndryshe si “Rrumi”. I ftuar në “Opinion”, Hoxha tha se se Muharremi ditën e krimit ka qenë në Vlorë, në zonën e njohur si Pusi i Mezinit.

“Është ngritur një grup special hetimor në Presidencë. A ka qenë Pëllumb Muharremi personi që dyshohej për atë ngjarje? A ka qenë ai në datën 9 shtator në banesën në Pusin e Mezinit? Ky është një informacon i dhënë nga agjentët e zbatimit civil. Ai ka qenë i dyshuari kryesor.

Trualli që Muharremi pretendon se është e tija është e mbivendosur mbi tokën që Skerdilajd Konomi ka fituar më datë 14 qershor 2009 me një vendim gjykate. Janë 3500 ha. Kjo gjë mund të hapë edhe njëherë çështjen e 2011-s, që ka mbetur pa autor.

Si është e mundur që në vitin 2018 në muajin maj grabitet Prokuroria e Durrësit. Grabitet dosja që ka të bëjë me tokat e Muharremit. Për të mbuluar këtë janë grabitur edhe dosje të tjera. Është grabitur dy herë brenda muajit prokuroria. Ç’janë këta hajdutë që grabisin servera. Ai ka marrë me vete edhe serverin?”– tha Hoxha.

Si u vra gjykatësi Skerdilajd Konomi?

Skerdilajd Konomi, gjykatës i rrethit gjyqësor Vlorë, u ekzekutua në Vlorë gjatë një atentati të tipit mafioz në 9 shtator 2011. Makina e tij shpërtheu nga një eksploziv i telekomanduar, ndërsa gjyqtari ishte në timon në bulevardin Vlorë-Skelë.

Gjykatësi Konomi, 33 vjeç, baba i dy fëmijëve, gjeti vdekjen e menjëhershme, ndërsa krimi shkaktoi një tronditje të fortë në publik, për ashpërsinë e ekzekutimit, si dhe mesazhi që u përçua nga krimi.

Një nga pistat kryesore të vrasjes së Konomit, mbetet çështja e pronave që paraardhësit e 33- vjeçarit zotëronin në Hamallaj të Durrësit, por edhe 8 vite pas vrasjes kjo dosje nuk ka autor.