Dalin detaje të reja në lidhjen me ngjarjen e djeshme të krimit në familje që ndodhi në Durrës.

Autori Ruzhdi Tasuni që vrau gruan e tij 59 vjeçe, Hajdijen, nënën e tre fëmijeve, brenda biznesit të tyre, ka rrëfyer në polici motivin e krimit.

“Shkak për konfliktin është bërë një zënkë që patëm për çështjen e dyqanit. Punët aty s’po ecnin mirë dhe i thashë ta shesim. Aty nisi gjithçka. Ajo nuk donte. Llaf pas llafi situata u agravua. Në gjaknxehtësi e sipër e qëllova me hekurin që mbyllim qepenin (shufër hekuri me ganxhë). E godita në kokë”, ka rrëfyer burri vrasës.

Më tej ai shpjegon se si viktima kishte tentuar të dilte jashtë për të shpëtuar, por ai e kishte tërhequr sërish brenda vendit ku ndodhi goditja fatale.

“Ajo tentoi të dilte nga dyqani por e tërhoqa brenda dhe e qëllova sërish. Nuk isha në vete në ato momente. E humba toruan fare”, ka deklaruar ndër të tjera Ruzhdi Tasuni.

Ngjarja ndodhi mesditën e djeshme dhe tronditi qytetin e Durrësit. Shërbimet e Policisë kanë arrestuar në flagrancë autorin e dyshuar të ngjarjes, Ruzhdi Tasuni, i cili ishte vetë ai që lajmëroi uniformat blu për ngjarjen e rëndë.

Pasi konstatoi se bashkëshortja kishte ndërruar jetë, 63-vjeçari mbylli qepenin e dyqanit, i cili ndodhet në zemër të qytetit bregdetar, midis sheshit “Pranvera” dhe pallatit të sportit “Ramazan Njala” dhe shkoi bleu te dyqani përballë një paketë cigare. Pasi është kthyer, ka hyrë në farmacinë pranë biznesit duke vënë në dijeni të pranishmit se kishte vrarë gruan. Më pas, ai u ul në trotuarin ku ndodhej dyqani i tij dhe priti Policinë të vinte ta arrestonte.