Pezullimi i dy inspektorëve të AKU-së në Durrës të cilët u filmuan nga një emision investigativ duke marrë ryshfet, u ka shtënë të dridhurat të gjithë inspektorëve të këtij institucioni. Në një komunikim me “DurrësLajm”, drejtori i AKU-së në Durrës Martin Jorgaqi, tha se masa ka qenë e menjëhershme dhe çdo inspektor i cili shpërdoron detyrën do të përballet me ligjin. Nga hetimi që iu bë rastit rezulton se dy inspektorët Arben Gupi, inspektor OSH, Veterinere, Medi Cela, inspektor OSH, Veterinere, kanë qenë në një restorant pranë universitetit për të kryer kontrollin periodik, por pas kontrollit nuk kanë lënë asnjë fletë procesverbali, por kanë marrë ryshfet 100 mijë lekë.

Drejtori i institucionit në Durrës tha se AKU inkurajon çdo media, çdo qytetar dhe çdo biznes që të denoncojë menjëherë çdo abuzim me sigurinë ushqimore apo autoritetin e inspektorit.

Në një kohë kur siguria ushqimore është kryefjalë e ditës në të gjithë familjet shqiptare, ata që duhet të sigurojnë popullatën për ushqimet që konsumojnë, janë po të njëjtët që komprometohen në çështjen më të ndjeshme e më të prekshme për të gjithë konsumatorët.

Konsumatorët blejnë çfarë iu ofrohet në mungesë të alternativës. Ata e dinë që asgjë nuk është më e sigurt, por nuk kanë me çfarë të ushqehen. Në treg rëndom gjen miellin e destinuar për ushqim për kafshët që përfundon në furrat e bukës për popullatën, djathin me niseshte dhe fruta perimet që rriten e skuqen brenda një nate, pulat që rriten me antibiotikë brenda një jave, e peshku i rezervatit që shtohet e rritet po me antibiotikë.

Këta inspektorë që duhet të kontrollojnë subjektet, janë ata që para aromës së parave nuk pyesin as për ushqimin që do të hanë në tavolinë familja e tyre, e aq më shumë populli. 

Edhe inspektorët e bujqësisë e ushqimit, të cilët duhet të kontrollojnë që në mbjellje bimët e deri sa këputen, e më pas certifikohen nga AKU. Por asnjë prej këtyre institucioneve nuk bën detyrën, sepse në shumë raste inspektorët abuzojnë, ndërsa për certifikimin e produkteve mungojnë aparaturat e matjes.

K.H.