Ish-ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri ka kërkuar që dosja e tij të shkojë për gjykim në Gjykatën e Krimeve të Rënda, duke ankimuar kështu dhe zgjatjen e hetimeve.

Kërkesa për pezullimin e  hetimeve, të cilat pak ditë më parë u zgjatën edhe me tre muaj të tjerë, është dorëzuar sot.

Afati për përfundimin e hetimeve për ish-ministrin skadoi më 17 janar. Shkak për shtyrjen e hetimeve, sipas Prokurorisë vjen për disa veprime të tjera hetimore. Prokuroria deklaron se pritet përgjigjja për ndihmë juridike nga Mali i Zi dhe përkthimi i akteve të marra nga Italia.

Kujtojmë se kjo është hera e tretë që hetimet për Tahirin zgjaten në pritje të informacioneve nga autoritetet e huaja.

Referuar Prokurorisë për Krime të Rënda, ish-deputeti i Partisë Socialiste akuzohet për “Trafikim të lëndëve narkotike”, kryer në bashkëpunim, në kuadër të grupit të strukturuar kriminal dhe “Korrupsion pasiv i funksionarëve të lartë”.