ECO PARKU që po ndërtohet në Porto Romano do të jetë gati në muajin tetor.

“Deri më tani janë realizuar 80% të punimeve dhe së shpejti ai do të jetë një destinacion i rëndësishëm jo vetëm për qytetarët e Durrësit, por edhe për rajonin”,– tha ndër të tjera kryebashkiakja e Durrësit, Emiriana Sako, duke iu përgjigjur interesimit të të rinjve që votojnë për herë të parë për ecurinë e këtij projekti të qeverisë shqiptare.

“Projekti i ECO PARKUT ka ardhur si një emergjencë mjedisore që gjatë periudhës së tranzicionit, qyteti ynë përfundoi në atë situatë ku mbetjet hidheshin vend e pa vend duke shkatërruar si nga ana mjedisore ashtu edhe nga infrastruktura zonën e Porto Romanos.

Sot, zhvillimi i këtij projekti i iniciuar dhe i financuar tërësisht nga qeveria shqiptare është realizuar deri në masën 80% dhe përfundon në muajin tetor. Aty do të kemi jo vetëm një park, i cili do të zhvillohet dhe me kalimin e kohës do të përmirësohet impakti mjedisor dhe infrastruktura e gjelbërimit që do të ketë në të, por do të jetë edhe një park i mirëfilltë me fusha sportive, me ambiente shërbimi etj.

Ky projekt, bashkë me projekte të tjera, siç është zona e detyruar nr.4 e Planit të Rindërtimit, në Spitallë, do të shërbejë për ta kthyer në një pol tjetër zhvillimi të qytetit, ku të gjitha ndërhyrjet do të jenë moderne, të pasura me standartet bashkëkohore, me infrastrukturë publike, me shërbime sociale dhe arsimore dhe do të jetë një ndryshim rrënjësor në komplet këtë hapësirë, që ishte një zonë informale.

Ky park do të jetë një destinacion, jo vetëm për qytetarët e Durrësit, por për nga sipërfaqja e tij prej 15 hektarësh, do të jetë edhe për rajonin”,- tha Sako.