Dita e shtunë nuk do të jetë ditë pushimi për stafin e bashkisë Durrës.

Sapo mori detyrën, kryebashkiakja e re Valbona Sako ka njoftuar një aksion të gjerë pastrimi në të gjithë Durrësin.

Aksioni pritet të përqendrohet në disa zona të qytetit, megjithëse nuk dihen detaje më të hollësishme. Gjithçka duket se do të zbardhet ditën e nesërme.

Stafi i bashkisë është njoftuar nga Drejtoria e Burimeve Njerëzore që të paraqitet nesër në punë, në orën 08.00.

Durrësi këtë muaj përballet me një fluks të shtuar turistësh vendas dhe të huaj, pasi jemi në kulmin e sezonit turistik dhe imazhi që duhet të përcjellë tek vizitorët duhet të jetë ai i një qyteti të pastër dhe mikpritës.