16/05/2018 - 13:18
Punimet në rrugën “Aleksandër Goga” nga Mauzoleumi i Dëshmorëve deri te sheshi “Liria” kanë vijuar me shpejtësi në zgjerimin e trotuareve dhe ngushtimin e rrugës së makinave këto ditë. Investimi përfshin rikualifikimin e rrugës “Aleksandër Goga”, nga sheshi “Liria” deri te Mauzoleumi i Dëshmorëve si dhe rrugën lidhëse “Fetah Bllaca”. Pranë Rotondës është parashikuar ndërtimi i një segmenti, i cili do të shërbejë si unazë për qarkullim e mjeteve që do të lidhë “Aleksandër Gogën” me “Fetah Bllacën”.
Në këtë segment punëtorët kanë bërë edhe një zbulim i cili shumë shpejt është mbuluar nga punëtorët e firmës. Nga qytetarët është mësuar se nga gërrmimet për zgjerimin e trotuarit në afërsi të forumit bizantin, kanë dalë në sipërfaqe konturet e një objekti.
Nga pamja e parë dyshohet se objekti masiv rreth 6 m gjatësi, mund të jetë pjesë fragmentare e ndonjë objekti apo bunkeri, pa specifikuar nëse është bunker i periudhës së luftës ose i viteve të socializmit. Megjithatë, duke u nisur edhe nga fakti se në periudhën e para viteve ‘90 kur është shtruar rruga dhe është spostuar nga sheshi bizantin ish-shkolla “10 Korriku”, në këtë periudhë bunkerët gëzonin status të veçantë, dhe ishte e vështirë që të mbuloheshin me dhe në atë periudhë.
Megjithatë, dyshohet që struktura e zbuluar mund të jetë një fragment bunkeri që i përket periudhës së luftërave të kaluara. Deri tani specialistët e arkeologjisë nuk e kanë thënë fjalën e tyre, dhe zona është në testim e sipër, për shkak se para ndërtimit të rrugës lidhëse do të jenë pikërisht arkeologët që do të japin fjalën e fundit.
Gjithsesi duhet vlerësuar vëmendja e qytetarëve që janë të shqetësuar për fatin e vlerave arkeologjike mijëra vjeçare që flenë nëntokë.
K.H.
/portali DurresLajm/