SARANDË- Policia e Sarandës sekuestron 141 kg kanabis, arreston 3 shtetas. Pas një operacioni në bashkëpunim me policinë greke, policia ka mundur të arrestojë shtetasit Lutfim Dalip Terpollari lindur në Skrapar dhe banues në Sarandë, Anarildo Diell Cengeli, lindur në Elbasan dhe banues në Sarandë dhe Zani Kujtim Cikollari lindur në Skrapar dhe banues në Korcë. 

Nga hetimet paraprake mësohet se gjatë orëve të vona të natës së djeshme nga shërbimet e Komisariatit të Policisë Sarandë ishte marrë informacion se disa persona do të trafikonin lëndë narkotike nëpërmjet zonës së Ciflig-Katajeto në drejtim të territorit Grek. 

Menjëherë strukturat e kufirit dhe ato të Policisë së Rendit Sarandë kanë organizuar shërbime të përbashketa dhe mbas disa orë kërkimesh janë konstatuar disa persona, të cilët sapo kanë pikasur punonjësit e policisë janë larguar në brendësi të kufirit grek, ndërsa është bërë e mundur sekuestrimi i automjetit me të cilin lëviznin këta shtetas një Mercedes-Benz me targa AA 879BG. 

Në lidhje me këtë ngjarje janë njoftuar menjëherë edhe autoritetet policore greke të cilat kanë bërë të mundur kapjen dhe arrestimin e tre personave dhe sekuestrimin e 141 kg kanabis sativa në brëndësi të territorit grek. Vijojnë hetimet për identifikimin dhe kapjen e personave të tjerë në këtë rast trafikimi.