Sekuestrohet ish-hotel “Vollga” në Durrës. Sekuestrimi u bë nga Agjencia e Administrimit të Pasurive të Sekuestruara dhe të konfiskuara.

Mësohet se sekuestrimi u kërkua nga SPAK dhe u vendos nga Gjykata Antikorrupsion. Nga hetimet e vitit 2016 në kuadër të ligjit “Antimafia”, prokuroria për Krimet e Rënda zbuloi se Emiljano Shullazi ishte bërë pronar i vetëm i ish-hotel “Vollgës” përmes dy akt-dhurimeve në vitin 2014.

Si përfundoi në duart e Shullazit hotel “Vollga”

Historia është po aq me të paprituara sa ajo e vetë hotelit të famshëm. Ajo daton nga viti 2003 kur me vendim të Kthimit dhe Kompensimit të Pronave, ish-hotel “Vollga” i njihet trashëgimtares së ligjshme, Alie Fortuzi. Por kjo trashegimtare e mbetur e Fortuzëve që komunizmi i kishte shpronësuar si bashkëpuntorë të pushtuesve ishte në moshë dhe në gjendje të keqe fizike. Ndaj ajo vendosi t’ia dhurojë pronën e fituar njeriut që ishte  kujdesur për shëndetin e saj, shtetasit Zamir Hasa.

Në shenjë respekti për angazhimin e Hasës për shëndetin e saj, ajo ka vendosur që pronën, “ish-Vollgën”, t’ia japë me testament atij, i cili do të bëhej pronar i ligjshëm pas vdekjes së Alie Fortuzit. Por këtu fillojnë ngatërresat. 

Po në të njëjtën ditë me regjistrimin në Hipotekë të pronës në emër të Alie Fortuzi, rezulton se ajo i është shitur shtetasit arab Mohamad Abdullah Bavazer. Dhe prej nga ky moment nis procesi që fut në lojë Emiliano Shullazin.

Trashëgimtari Zamir Hasa, vendos të ndjekë rrugën gjyqësore duke pretenduar se prona është regjistruar në Hipotekë në mënyrë fiktive. Procesi zgjati gati 10 vjet me plot të papritura. Në kohën që Gjykata e Lartë në 10 korrik 2013 me vendim të ndërmjetëm kishte urdhëruar pezullimin e regjistrimit të shënimit të emrit të shtetasit arab në kartelën e pasurisë, gjykata e Durrësit, në një tjetër proces, i njeh të drejtën e pronësisë shtetasit arab Mohamad Bavazer.

Me këtë vendim njohjeje pronësie, ky i fundit e regjistron pasurinë e paluajtshme të ish-“Vollga” në emër të kompanisë “Suadi Brother’s Commercial Company”, në të cilën ishte vetë ai administrator. Pasi është bërë pronar i ligjshëm, “Suadi Brother’s Commercial Company”, në nëntor 2014, ia shet një pjesë të pasurisë për shumën 670 mijë eurove dy personave që dyshohen se kanë bërë thjesht dhuruesin fiktiv të emrit: Fejzi dhe Marjeta Kodra.

Mbi bashkëshortët Kodra ka dyshime për mundësitë e tyre financiare për shpenzimin e një shume të tillë. Këtë akt e bënë më të dyshimtë edhe një fakt tjetër: ata vendosin që një muaj pas blerjes ta dhurojnë pronën e tyre. Familjarët Kodra, ashtu si edhe “Suadi Brother’s Commercial Company” me përfaqësues Ylvi Beqja, në dhjetor 2014, nënshkruajnë kontratën e dhurimit, në bazë të të cilës të gjithë të drejtat pronësore të tyre, ia japin pa asnjë shpërblim Emiljano Shullazit. Ndërkohë në këto kontrata nuk kishte asnjë arsyetim se përse ishte bërë ky dhurim dhe se pse ishte zgjedhur Emiljano Shullazi, për të trashëguar këtë godinë simbolike të Durrësit.

Ndoshta sepsë si të gjitha simbolet e së kaluarës edhe ndërtesa që ka mbajtur njëri pas tjetrit emrat e mëdhej, “Albergo di Dogi”, “Majestic” apo Vollga nuk mund të kishte një fund të lavdishëm.