Qyteti bregdetar i Durrësit kthehet gjatë stinës së nxehtë të verës në kryeqendrën e pushuesve, kjo ka filluar të pasqyrohet jo vetëm në bregdet, por edhe në shtimin e numrit të lartë të automjeteve që lëvizin në çdo kohë në rrugët e qytetit.

Sezoni turistik dhe kthimi i emigrantëve ka rënduar trafikun në rrugët që përshkojnë Durrësin. Vështirësitë më të shumta janë në rrethrrotullimin e stacionit të trenit pasi në këtë aks rrugor ka disa degëzime të cilat bëjne lidhjen e zonave të ndryshme.

Prej paradites dhe deri pasdite, piku i trafikut është i njëjtë me atë gjatë fundjavës. Lëvizja në rrugët kryesore të qytetit me automjete ka filluar të vështirësohet edhe nga prezenca e numrit të lartë të këmbësorëve të cilët përpiqën të përfundojnë punët e tyre gjatë orëve të para të paradites.

Krahas numrit të lartë të automjeteve, shkak për këtë rëndim të trafikut janë edhe mungesa e rrugëve alternative kryesisht në hyrje-daljet drejt qytetit, si dhe për shkak të punimeve që vazhdojnë në disa prej akseve kryesore në qytet. Duke mos mjaftuar këto elemente, mos respektimi i sinjalistikës rrugore dhe kundravajtjet e shumta sjellin një rëndim të metejshëm të situatës, ndërsa policia rrugore e ka të pamundur për të disiplinuar lëvizjen në të gjitha segmentet problematike.

Megjithëse ka pasur shtim të patrullave dhe kontrolleve nga ana e policisë rrugore, sërish fenomeni i trafikut në Durrës vazhdon të përsëritet. Ditët në vijim pritet të sjellin edhe më shumë emigrantë në vendin tonë, gjë e cila përkthehet automatikisht në shtim edhe të numrit të automjeteve.

Bëhet me dije nga ana e punonjësve të policisë së qytetit të Durrësit, se gjatë kësaj kohe dhe në ditët në vijim do të shtohen strukturat e shërbimit, duke manovruar situatën jo vetëm në rrugët kryesore të qytetit, por edhe më gjerë. Edhe përgjatë kësaj periudhe, të paktën emigrantët të cilët kanë mbërritur në atdhe duhet të tregojnë kujdes, pasi shkeljet kryesore siç janë ecjet tej normave të shpejtësisë, konsumimi i pijeve alkoolike, parkimet e gabuara të cilat bëhen shkak për një ngarkesë në trafik do të ndëshkohen duke mos u marrë parasysh asnjë justifikim i dhënë prej tyre.

K.H.