Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale hapi 28 qendra shëndetësore verore, që do të ofrojnë shërbim shëndetësor 24 orën në 7 ditë të javës pranë zonave turistike. Ministrja Manastirliu inspektoi qendrën shëndetësore verore në Durrës, e cila është një prej 28 qendrave që do të ofrojnë shërbim pa ndërprerje gjatë sezonit turistik në vijën bregdetare shqiptare.

Manastirliu tha se këtë vit janë hapur 28 qendra shëndetësore pranë zonave turistike, për të garantuar shërbim shëndetësor 24 orë, për një sezon turistik të sigurtë për të gjithë pushuesit dhe per herë të parë këtë vit janë shtuar si qendra 24 orëshe qendra shëndetësore e Dhërmiut fshat si dhe qendrën shëndetësore Rrjoll, në zonën e Velipojës. 

Qendrat shëndetësore verore të hapura nga veriu në jug të vendit, tashmë janë pajisur me barnat dhe materialet mjekësore bazë për rastet e urgjencave mjekësore sipas Manastirliut.

Qendrat shëndetësore 24 orëshe pranë zonave turistike do të jenë të hapura deri më 15 shtator. Sipas Ministrisë së Shëndetësisë, gjatë vitit të kaluar, rreth 50 mijë pushues morën shërbim në qendrat shëndetësore verore, gjatë sezonit turistik.