Në plazhin e Durrësit ka nisur trajnimi i rojeve bregdetare të cilët gjatë gjithë sezonit veror do të mbajnë në monitorim e do të ndihmojnë çdo person që është në vështirësi mbytjeje.

Roja bregdetare në bashkëpunim me qendrën “Lifeguard Albania”, një organizatë amerikane me bazë vullnetare kanë trajnuar dhjetëra të rinj që duan të jenë roje bregdetare, në stërvitje praktike për të shpëtuar njerëzit nga mbytja gjatë këtij sezoni veror. 

Organizata e madhe “Lifeguard” me 300 vullnetarë nga vende të ndryshme të botës janë për herë të dytë në Shqipëri dhe për të gjithë të rinjtë pjesëmarrës në këtë mision humanitar dha cerifikatata ISLA.

Të rinjtë nga vende të ndryshme të botës duke nisur nga Amerika, Kanadaja dhe Australia e largët kanë shkëmbyer eksperiencat e tyre me të rinjtë shqiptarë.

Qendra “Lifeguard Albania” është qendra e parë në Shqiperi e specializuar në shërbimin e rojeve detare, e themeluar që në 2006.

Kjo qendër është anëtare e ISLA (Internacional Surf Lifesaving Association) që nga viti 2015 me qendër në Karlifoni, dhe me degët e saj në 190 vende të botës. Është e vetmja organizatë në Shqipëri që ka eksperiencën dhe trajnimin e ISLA-s që do të thotë më shumë profesionalizëm dhe përgjegjshmëri dhe aftësi për këtë shërbim.

Profesionalizimi i kësaj qendre bazohet në faktin se deri më sot nuk ka patur asnjë mbytje në rastet e shpëtuara nga rojet e certifikuara nga QLA. Kjo qendër themeloi për herë të parë Programin “LIFEGUARD JUNIOR”, për edukimin e brezit të ri ku pjesëmarja ishte e jashtezakonshme.

Që në momentin e themelimit kjo qendër ka kualifikuar 190 të rinj dhe të reja me certifikaten e Lifeguard Albania dhe 25 të tjerë me certifikatën e ISLA.

Një pjesë e këtyre të rinjve e kanë ushtruar shërbimin e rojeve detare në zonat e caktuara. Statistikat tregojnë se deri tani rojet bregdetare shqiptare kanë shpëtuar 42 pushues.

K.H.