Thuajse të gjithë shefat e pavioneve dhe reparteve në spitalin e Durrësit kanë klinika private. Përgjithësisht ato janë diku në pjesën e jashtme të murit rrethues të spitalit, ose jo shumë larg që aty. Klinikat e laboratoret u sjellin mjekëve fitime të mëdha me fare pak shpenzime. Janë kryesisht pacientë të spitalit ata që detyrohen të bëjnë analiza, grafi, eko, skaner dhe gjithçka tjetër në klinikat e këtyre shefave. Drejtoria spitalore e ka të njohur këtë fenomen shumë të theksuar. Aktiviteti këtyre klinikave si dhe veprimet e mjekëve e kirurgëve kryhen në ditën me diell, në prani të bordit të spitalit, të përfaqësuesve të administratës apo edhe të vizitorëve që vijnë nga Ministria e Shëndetësisë.

Kanë dështuar një nga një të gjitha përpjekjet e drejtuesit të spitalit për të vendosur këtë kategori mjekësh në mes të alternativës: ose të mbajnë klinikën private e të heqin dorë nga përgjegjësit e administrimit të pavioneve dhe reparteve, ose të mbyllin klinikën për aq kohë sa ushtrojnë detyra të tilla. Spitali Durrësit ka infrastrukturën e paisjeve ndër më modernet në vend por shërbimet përgjithësisht kryhen në klinika e laboratore private. Janë vet mjekët dhe infermierët që adresojnë pacientët tek privati. Këtë veprim e justifikojnë me pohime se laboratorët në spital nuk janë të standrateve të duhura, solucionet e lënda e parë nuk janë cilësore, paisjet janë amortizuar etj. Çdo ditë pacientëve të interesuar u thuhet se shërbimet afrohen jashtë spitali pasi paisjet janë prishur, nuk punojnë, kanë një pjesë të dëmtuar, presin riparimin e të tjera deklarime të pavërteta, ndërsa i dërgojnë në klinikat e tyre dhe të miqve. Kjo është mënyra më e rëndomtë që ndeshet dhe që u kushton shtrenjtë qytetarëve.

Mjekët në këtë rast nuk duan t’ia dinë nëse pacienti është pensionist, invalid, pa të ardhuara ekonomike, familje e vobektë, student, i papunë… Bluzat e bardha të përfshirë në skema të tilla të mashtrimit të pacientëve nuk marrin mundimin të afrojnë fare shërbim për të sëmurët. Burime jozyrtare thonë se në disa raste ka pasur edhe ngjarje të rënda si pasojë e mosndërhyrjes në kohë e me cilësi nga mjekët. Madje flitet se një numër jo i vogël i mjekëve kanë pasur e kanë proçese penale të hapura si pasojë e këtyre abuzimeve të rënda.  Zgjidhja, sipas palës së shëndoshë në mesin e bluzave të bardha, mund të vijë vetëm nëse kjo kategori mjekësh nuk do të përfitojë “ofiqet”. Ata thonë se nuk duhet lejuar për asnjë lloj arsye që një mjek të jetë edhe shef në një paivon a repart, edhe të ketë klinike private. Veç pacientëve që orientohen me apo pa dashje për në klinikë e laborator privat, mjekët marrin me vete jo rrallë paisjet e spitalit dhe ilaçet. Fitimet në raste të tilla për një shërbim që afrohet falas nga shteti në spitale publike, janë të mëdha, në mijëra lekë në muaj.

Në këto klinika e laboratore përgjithësisht nuk kanë kartelë për pacientët, emrat shkruhen në fletë e fletore sa për të kaluar rradhën, nuk shoqërohen me  shpjegues e rekomandime dhe as nuk ndiqet ecuria e pacientit. Të gjithë i dinë këto abuzime të hapura. I di drejtori, kryetari bordit të spitalit, ministri, drejtorët e drejtorive, deputetët, qarku, prefektura, politikanët, shoqatat. Asnjëri prej tyre nuk ngre zërin. Të gjithë heshtin përballë këtij fenomeni. Ankohen qytetarët me zë e nën zë, me fjalë të mëdha e me të vogla, me të sharë e me të mallkuar. Mijëra e mijëra lekë të shpenzuara për të mbushur xhepat e disa mjekëve. Një pjesë e tyre japin leksione, janë në disa komisione shtetërore a private, ndjekin e “kujdesen” për shëndetin e punëtorëve në konfeksione duke marrë edhe atje jo pak lekë. Në klinika private bëhen jo vetëm vizita e analiza, por edhe ndërhyrje. Për cilësinë e këtyre të fundit nuk është folur ndonjëherë. Prokuroria e Durrësit ka disa dosje në dorë e të tjera në sirtarë. Ato kanë të bëjnë me nevojën e zbardhjes së përgjegjësisë dhe pozicionit të mjekëve në rastet e humbjes së jetës nga pacientët.