Kosovë, 19 mars 2014 – Shefi i Shtabit të Forcave të Armatosura të Shqipërisë, gjeneral Jeronim Bazo, gjatë vizitës së tij zyrtare në Kosovë takoi edhe gjeneral majorin italian Salvatore Farina, komandantin aktual të forcave të KFOR-it në Republikën e Kosovës.

Gjatë takimit, gjeneral major Farina i ka shpjeguar gjeneral Bazos situatën aktuale operative duke theksuar përmirësimin e dukshëm të gjendjes së sigurisë në gjithë territorin e Republikës së Kosovës, pas marrëveshjes Prishtinë-Beograd të 19 prillit të vitit të kaluar. Situata është krejt e qetë dhe normale në gjithë territorin e Republikës dhe forcat e KFOR-it janë prezente në të gjithë territorin e Kosovës duke i kushtuar një vëmendje të veçantë veriut.

Të dy gjeneralët kanë vënë theksin në një trajtim rajonal të problemeve të sigurisë dhe u impenjuan për promovimin e një konference mbi bashkëpunimin në lëmin e sigurisë në rajon. Gjeneral Farina vlerësoi lart edhe profesionalizmin e ushtarakëve shqiptarë, që janë atashuar pranë shtabit të KFOR-it.

/gje. th. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/