Ditën e sotme është shembur ndërtesa prej xhami, e cila ishte ndërtuar në pjesën hyrëse të stadiumit "Arena Kombëtare". Punimet për stadiumin janë drejt përfundimit, dhe kjo ndërtesë katër katëshe ku kishte kafene, sallon bukurie dhe fast-food duket se i "zinte frymën". Në këtë hapësirë është planifikuar të jetë parkim, që do t'u shërbejë të gjithë tifozëve që do të zgjedhin të shohin ndeshjet nga "Arena Kombëtare".

Shembja është bërë me anë të fadromave dhe jo me shpërthim të telekomanduar, siç ka funksionuar me disa prej ndërtesave të tjera në Shqipëri, duke mos u kthyer në një shqetësim për banorët përreth.

Për shembjen e kësaj ndërtese ka reaguar edhe kreu i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj. 

"Çibani i fundit!  Ikën ngrehina e mbetur nga aksi qendror i Tiranes për ta hapur plotësisht Sheshin "Italia" për Arenën Kombëtare.  Shpronësim për ata me leje, prishje për të fortët që shtuan katet pa leje në kohë të Lulit e Kunatit famëkeq", shkruan Veliaj.