Ndërsa në Tiranë nisi protesta e Aleancës për Mbrojtjen e Teatrit, në Durrës u zhvillua një protestë paralele, ku pjesëmarrës ishin shumë të rinj.

Me flamuj kuq e zi dhe pankanta në duar, të rinjtë dënuan shembjen e Teatrit Kombëtar dhe e cilësuan turp ndërhyrjen për rrafshimin e godinës rreth orës 04.00 të ditës së diel.

Njëkohësisht, ata që morën fjalën në protestë nënvizuan shkatërrimin e arkeologjisë dhe trashëgimisë kulturore në Durrës, që në shumë lagje të qytetit është varrosur dhe shkatërruar nën betonin e godinave shumëkatëshe.

Protesta e sotme ishte në shenjë solidarizimi me protestën në Tiranë, pasi për shkak të masave anti-Covid, shumë qytetarë që duan të jenë të pranishëm në kryeqytet e kanë të pamundur vajtjen në kryeqytet prej postblloqeve të policisë.