Rritet numri i të shëruarve nga koronavirusi në Durrës.

Paraditen e sotme Ministria e Shëndetësisë përditësoi të dhënat lidhur me situatën e Covid-19 në vendin tonë, ku njoftoi se në 24 orët e fundit janë shëruar 7 qytetarë.

Nga raportimi i një dite më parë, Durrësi numëronte 20 pacientë me Covid, 7 prej të cilëve ia hodhën kësaj beteje.

Gjatë 24 orëve të fundit, qyteti bregdetar regjistroi edhe dy persona të tjerë pozitive duke e çuar numrin e rasteve aktive në total 15.

Ndërkohë, në raportimin e datës 2 qershor të Ministrisë së Shëndetësisë bëhet me dije se që nga fillimi i pandemisë, në qarkun e Durrësit janë regjistruar 253 raste të konfirmuara, nga të cilët 207 janë shëruar ndërsa 6 të tjerë kanë humbur jetën.

Qyteti i Durrësit vijon të jetë vaktër aktive me qytetarë të infektuar. Kujtojmë se dy rastet më të fundit janë dy punonjëse të Kadastrës, sportelistja për të cilën kishte dyshime se ishte infektuar me Covid-19 pasi u konfirmuan familjarët e saj; si dhe një specialiste sektori.

Në gjithë Shqipërinë deri më tani janë konfirmuar pozitivë 1184 raste, ku vijojnë të jenë 253 persona aktivë me Covid-19, kryesisht në Tiranë, Durrës dhe Krujë.