Është shkarkuar nga detyra, nënkryetarja e Bashkisë së Shijakut, Shpresa Domi. Shkarkimi i saj, ka ardhur pas deklarimeve të rreme që Domi ka deklaruar në formularin e Departamentit të Administratës Publike, për dekriminalizimin.

Mësohet se Domi është dënuar me vendim te formës së prerë në vitin 2006, “Për kalim malli kontrabande”, vepër penale për të cilën është dënuar me gjobë 400.000 mijë lekë. Por, në vitin 2016, kur DAP kërkoi plotësimin e formularit të dekriminalizimit, Domi nuk ka deklaruar këtë vepër penale, duke e rënduar situatën e saj juridike, për të cilën ka nisur një hetim ndaj saj për veprën penale të “Deklarimit të rremë dhe falsifikimit të vulave, firmave”, duke u dënuar me 6 muaj burg, në 2016-tën. 

Duke pranuar fajësinë e kësaj vepre penale, Domi ka përfituar ulje të dënimit, me 4 muaj heqje lirie dhe në përfundim të shkallëve të gjyqësorit është dënuar në 2016-tën me 60 ditë punë komunitare, kryer pranë Bashkisë Durrës.

Mësohet se institucioni ku Domi ka qenë funksionare shtetërore, nuk ka pasur dijeni mbi çështjet gjyqësore në ngarkim të Nënkryetares. Deri në datë 19 qershor kur Departamenti i Administratës Shtetërore i ka dërguar një shkresë zyrtare drejtuar kreut të Bashkisë Shijakut për shkarkim e menjëhershëm nga detyra të Nënkryetares, Shpresa Domi.

Paraprakisht, mësohet se Domit i është kërkuar të japë dorëheqjen si nënkryetare, por nuk ka pranuar, deri sa ndaj saj është ndërmarrë masë e largimit të menjëhershëm nga detyra. /Panorama