Ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë Damian Gjiknuri mori pjesë në Forumin e Biznesit Shqipëri-Itali, ku ishin të pranishëm rreth 200 sipërmarrës italianë. Gjatë fjalës së tij para të pranishmëve, ministri Gjiknuri u shpreh se infrastruktura është një sfidë e madhe që ka Shqipëria.

Duke u ndalur tek partneriteti publik privat, Gjiknuri theksoi se qeveria shqiptare ka filluar një projekt ambicioz për të thithur kapital privat në ndërtimin e veprave infrastrukturore, ku përmendi si shembull një nga rrugët me sistemin e pagesës që do të shmangë trafikun në qytetin e Durrësit.

"Është krijimi i një aksi të ri rrugor nga Kashari në Rrogozhinë, për të shmangur një pjesë të trafikut në Durrës. Kjo do të jetë një rrugë me pagesë, e financuar e gjitha me kapital privat ku shteti do të marrë në një minimum garancie të trafikut, kuptohet me një vlerë që nuk na rëndon shumë. Njëkohësisht, i jep për momentet e para siguri investimit privat, por riskun kryesisht duhet të marrë edhe investitori privat", nënvizoi Gjiknuri.