“1000 pako me ndihma ushqimore janë shpërndarë gjatë këtyre javëve në bashkinë e Durrësit për t’u ardhur në ndihmë personave më vulnerabël ndaj krizës së koronavirusit”,- bën të ditur prefekti i qarkut Durrës, Roland Nasto.

Ishmi është njësia administrative që ka marrë më shumë pako ndihme nga Rezervat e Shtetit, plot 400 të tilla. Pasohet nga Manza me 200, Rrashbulli 100 pako, Sukthi 100 pako dhe Katundi i Ri 50 pako (fotot poshtë nga shpërndarja e ndihmave).

Ndërsa përsa i përket njësive administrative në qytet 100 pako me ndihma janë ndarë në njësinë administrative nr.6 dhe 50 në njësinë administrative nr.4.

“Ditën e premte, falë bashkëpunimit me Autoritetin Portual Durrës dhe operatorët privatë në port janë parashikuar të shpërndahen 200 pako me ndihma ushqimore në njësinë administrative nr.5, që mbulon zonën e Shkozetit dhe Plazhit”, bën të ditur prefekti Nasto, që kryeson shtabin koordinativ të qarkut. gjatë emergjencës së koronavirusit.

Prefekti nënvizon se prioritet gjatë këtyre ditëve u është dhënë personave që qëndrojnë në çadra, për shkak të dëmtimit të shtëpive nga tërmeti i 26 nëntorit.

“Në të gjitha çadrat ku janë të strehuar pensionistë të vetmuar, persona në nevojë dhe me aftësi të kufizuara, ndihmat kanë mbërritur tashmë. Problem nganjëherë janë familjet që si pasojë e tërmetit banojnë në adresa të reja, por këto ditë të gjithë punonjësve të administratës dhe institucioneve në Durrës u është dhënë direktivë që të raportojnë nëse kanë në lagje apo blloqe banimi persona në nevojë, në mënyrë që askush të mos mbetet pa u ndihmuar në këto ditë të vështira”, – thotë Nasto.

“Kompani private apo organizata humanitare kanë mbledhur ndihma ushqimore për t’u ardhur në ndihmë personave në pamundësi ekonomike dhe në bashkëpunim me bashkinë ne jemi duke koordinuar punën në terren që të gjithë të përfitojnë. Duam të evitojmë rastet kur disa familje ndihmohen disa herë, ndërsa disa të tjera nuk përfitojnë”,– thekson Nasto.

Ditën e sotme, Posta Shqiptare ka marrë përsipër krahas shpërndarjes së pensioneve, edhe ndihmën ekonomike në shtëpi, për të gjithë personat me aftësi të kufizuara.  

Nasto përsërit edhe njëherë apelin e tij për pensionistët që të mos dalin nga shtëpia, pasi pensionet do t’u dërgohen në banesë.