Zbardhet dëshmia e 21-vjeçares, e cila një ditë më parë u arrestua nga Policia e Durrësit pasi u kap me 13.5 gr. kokainë.

Gjatë marrjes në pyetje, 21-vjeçarja nuk e ka pranuar akuzën “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, duke deklaruar para oficerëve të Policisë se lëndën narkotike që iu sekuestrua e kishte blerë për konsumim vetjak.

“Nuk shpërndaj lëndë narkotike. Kokainën e kam blerë për ta konsumuar për vete. Jam konsumatore. Për këtë jam gati të bëj analizat, për ta vërtetuar”, ka thënë ndër të tjera gjatë marrjes në pyetje shtetasja A. B..

Panorama shkruan se lëndën narkotike, e reja e shpërndante kryesisht te personat të cilët e merrnin në telefon, ndërsa shpërndante edhe nëpër lokalet e natës në Durrës e Tiranë.

NJOFTIMI I POLICISË

Goditet një tjetër rast i shpërndarjes së drogave të forta në doza të vogla në Durrës, arrestohet në flagrancë 21-vjeçarja, e cila u kap me 13.5 gr. kokainë.

Në vijim të goditjeve të njëpasnjëshme ndaj shpërndarjes së drogave të forta në doza të vogla, specialistët për Hetimin e Narkotikëve në Drejtorinë Vendore të Policisë Durrës arrestuan në flagrancë shtetasen: A. B., 21 vjeçe, banuese në Durrës.

Gjatë kontrollit fizik ndaj kësaj shtetaseje, u gjet dhe sekuestrua në cilësinë e provës materiale një sasi prej 13.5 gr. lëndë narkotike, e dyshuar kokainë.

Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”.