Një shpërthim eksplozivi është regjistruar mbrëmjen e vonë të së dielës, rreth 30 minuta para mesnate, në fshatin Larushk të Fushë-Krujës.

Sipas raportimit të policisë, një sasi e vogël lënde plasëse është hedhur nga rruga drejt cepit të oborrit që lidh dy banesat e shtetasve Besim Muça dhe Ramazan Muça, ky i fundit gjyshi nga e ëma i Xhisiela Malokut.

Fatmirësisht si pasojë e shpërthimit nuk ka pasur të lënduar, dhe as dëme materiale.

Policia ka shkuar menjëherë në vendngjarje për të hetuar mbi rrethanat, si dhe për identifikimin dhe kapjen e autorëve, ndërkohë që ka shoqëruar 9 persona për t’i marrë në pyetje.

Burime nga policia bënë të ditur për “DurrësLajm” se Xhisiela jetonte vetë në banesën e gjyshit. Sipas të njëjtave burime, mësohet se në Polici nuk janë shoqëruar persona të fisit Rraja, por banorë të zonës.

Shpërthimi vjen pak ditë pas zbulimit të skandalit, ku Xhisiela Maloku u dhunua nga djali i deputetit të PS Rrahman Rraja, por ajo nga ana e saj i ka mohuar akuzat. Ajo deklaroi se e kishte denoncuar ish-të dashurin Rexhep Rraja për xhelozi pavarësisht ekspertizës së mjekëve dhe psikologut. Aktualisht Rexhep Rraja ndodhet në burg.