Dy sipërmarrësit e laboratorit për pajisje stomatologjike – Besar Lalike dhe Elidian Çepele i dorëzuan të mërkurën në mëngjes Qendrës Spitalore Universitare në Tiranë një sasi valvulash të prodhuara me printer 3D, të cilat mundësojnë dyfishimin e kapaciteteve të respiratorëve për pacientët në terapi intensive të prekur nga sëmundja COVID-19.

“Ndjehemi shumë mirë, por shpresojmë që të mos përdoren, sepse në qoftëse ato nuk përdoren, ne jemi akoma më mirë dhe më të sigurt,” tha Çepele, përpara se bashkë me kolegun e tij Lalike t’i jepnin doktor Krenar Lilajt – koordinator i shërbimit të reanimacionit për COVID-19 në QSUT, tre kutitë me valvulat e printura në laboratorin e tyre në lagjen Selitë të Tiranës.

Lalike dhe Çepele bëjnë pjesë në një ligë sipërmarrësish dhe vullnetarësh në të gjithë botën, që i janë përgjigjur mungesës së respiratorëve për të trajtuar pacientët e prekur nga koronavirusi dhe kanë nevojë për frymëmarrje të asistuar, duke printuar valvula që mundësojnë përdorimin në rast nevoje të një respiratori për dy pacientë.

“Në kushtet e një ngarkese të rëndë me të sëmurë me COVID-19 dhe në kushtet e mospërballimit nga ana e respiratorëve të një numri të madh të sëmurësh, kudo në Evropë edhe në Amerikë, janë marrë masa për aplikimin e trajtimit respirator të dy të sëmurëve me një respirator,” shpjegoi doktor Krenar Lilaj. “Dhe pikërisht këta aksesorë që djemtë i kanë prodhuar, ndihmojnë në përdorimin e një respiratori për dy pacientë të ndryshëm,” shtoi ai.

Valvula në 3D

Që nga shpërthimi i epidemisë së COVID-19 në Shqipëri një muaj më parë, 400 persona janë infektuar nga koronavirusi i ri, nga të cilët 22 pacientë kanë humbur jetën dhe 154 rezultojnë tashmë të shëruar. Të mërkurën, 10 pacientë ndodheshin në terapi intensive, nga të cilët 4 në gjendje më të rëndë dhe të intubuar në respiratorë në sanatoriumin “Shefqet Ndroqi”.

Në raste të rënda, COVID-19 sulmon mushkëritë duke shkaktuar pneumoni dhe pacienti kërkon trajtimin me frymëmarrje të asistuar nëpërmjet një respiratori. Respiratorët janë pajisje të komplikuara për t’u ndërtuar dhe të vështira për t’u mirëmbajtur.

Në të gjithë pavijonet e terapisë intensive në Shqipëri ndodhen rreth 180 respiratorë, të cilët edhe pse të mjaftueshëm në kushte normale, mund të mos mjaftojnë për të trajtuar të gjithë pacientët, nëse ka një shpërthim të epidemisë së COVID-19 të ngjashme me Italinë, ku sistemi shëndetësor është vënë nën presion për të trajtuar rastet e shumta me koronavirus.

Besar Lalike shpjegon se valvula që ata kanë prodhuar për QSUT-në, e cila mundëson lidhjen e dy pacientëve me një respirator, ka ekzistuar prej kohësh dhe është rikthyer në prodhim si pasojë e mungesës së respiratorëve të krijuar nga pandemia e COVID-19. Sfida për dy laborantët shqiptarë ishte të adaptonin prodhimin e valvulave të projektuara për printer me mbushje për printer 3D dhe të siguronin sasinë e rezinës së sterilizueshme që nevojitej.

“Na u desh pak punë për t’i adaptuar, sepse këto janë me precizion të lartë – këta printerat që kemi, ndërsa ato janë më industrialë,” tha Lalike.

Sipas Lalikes, diferenca midis printerave 3D dhe atyre me mbushje është shumë e madhe. Printerat me mbushje janë industrialë dhe mund të prodhojnë deri në 10 mijë valvula në ditë, ndërsa printerat 3D mund të prodhojnë deri në 20 valvula në ditë. Një tjetër sfidë për dy sipërmarrësit ishte adaptimi i printerave për përdorimin e rezinës së sterilizueshme që futet në autoklavë dhe sigurimi i një sasie të mjaftueshme të këtij materiali.

“Në fillim kishim një problem se nuk po gjenim dot rezinën, se nuk e kishim atë sasinë në stok,” tha Lalike, duke shpjeguar se u nevojitej një sasi prej 12 litrash. “Na ndihmuan partnerët tanë në Itali dhe filloi prodhimi normalisht,” shtoi ai.

Të mërkurën, dy sipërmarrësit i dorëzuan QSUT-së 120 valvula të prodhuara me printer 3D, por që sipas Lalikes, është gjysma e kërkesës fillestare- një shenjë që sipas tij sugjeron se epidemia po mbahet nën kontroll dhe nevoja për respiratorë në spitalin Infektiv nuk ka qenë e lartë.

“Por shyqyr na stopuan – na u kërkua një sasi e madhe në fillim, tani u mor vetëm gjysma,” tha ai. “Sot u dorëzuan diku tek 100/120 copë valvula, po ne jemi në gatishmëri të vazhdojmë prodhimin, jemi në kapacitet të plotë, në qoftë se duhet,” shtoi Lalike.

Përveç valvulave të prodhuara për QSUT-në, prej më shumë se 1 jave dy laborantët po eksperimentojnë për të prodhuar dhe një valvul të modelit ‘Sharlotë’ për Spitalin Amerikan në Tiranë, në bashkëpunim me doktor Alfred Agon.

“Valvula ‘Sharlotë’ adapton maskat e zhytjes dhe sipas doktor Alfredit dhe shumë mjekëve nëpër botë që po e përdorin, kjo valvul adaptohet tek kjo maskë dhe nuk ka nevojë për intubim të pacientit që ka vështirësi respiratore,” shpjegoi Lalike.

Sipërmarrje në vështirësi

Çepele dhe Lalike prej vitesh operojnë laboratorë stomatologjikë në Kavajë dhe Vlorë dhe prej 6 muajsh kanë hapur një laborator në Tiranë – “Dentur Design Center”, që shërben gjithashtu si një qendër frezimi. Në të tre laboratorët e tyre, ata kanë të punësuar 15 punonjës.

Edhe pse në javët e fundit Lalike dhe Çepele i kanë investuar energjitë e tyre në prodhimin e valvulave për respiratorët e QSUT-së, biznesi i dy laborantëve – ngjashëm me shumicën e sipërmarrjeve shqiptare, është pezulluar nga epidemia e COVID-19 në Itali dhe Shqipëri.

“Kemi shumë vite që punojmë në qytetet tona në Vlorë dhe Kavajë, bashkë me kolegun, ortakun dhe shokun tim, por kjo në këtë moment na ndikoi shumë negativisht,” tha Lalike. “Tani jemi mbyllur, nuk dihet gjë fare çfarë do të ndodhi, jemi me pikëpyetje si biznes dhe nuk besoj se është vetëm për ne,” shtoi ai.

Dy sipërmarrësit kanë investuar në laboratorin në Tiranë, që shërben edhe si një qendër trajnimesh që realizohen së bashku me partnerët e tyre italianë. Për të rikuperuar kostot e pajisjeve të reja, ata parashikojnë se do t’u duhen 2-3 vjet punë.

“Ne kemi shumë komunikim me palën italiane dhe ato thonë se për 7-8 muaj do të jenë mbyllur,” tha Lalike. “Ne më shumë morëm goditje nga Italia se Shqipëria,” shtoi ai, duke nënvizuar se kërkesa kryesore për laboratorët e tyre vjen nga tregu italian.

Mbështetje për mjekët 

Doktor Krenar Lilaj shpjegon se prodhimi i valvulave për QSUT-në ishte iniciativë e Çepeles dhe Lalikes dhe dëshirës së tyre për të ndihmuar në trajtimin e pacientëve të shtruar në spitalin Infektiv me COVID-19.

“Ata u lidhën me homologët e tyre në Itali dhe morën të gjitha shabllonet dhe ofruan gatishmërinë e tyre, pa kurrfarë interesi, pa kurrfarë shpërblimi dhe trajtimi material në ndihmë të komunitetit,” shpjegoi ai.

Iniciativa e dy sipërmarrësve është përfaqësuese e një frymë në rritje të mbështetjes nga shoqëria për mjekët dhe infermierët, të cilët janë në linjën e parë të luftës kundër epidemisë së COVID-19.

Megjithatë, edhe pse ka përkrahje në rritje nga shoqëria për mjekët, Lilaj nënvizon me keqardhje se kjo përkrahje shpesh nuk përkthehet në ndjekjen e këshillave që ata kanë dhënë për distancimin social, në mënyrë që të parandalohet përhapja e epidemisë.

“Këshillat që ne i japim, të distancimit publik dhe të autoizolimit, sikur nuk po i shoh të zbatuara dhe kjo është gjëja më e rëndësishme që do të na ndihmojnë, kjo është ndihma më e madhe që na jep ne shoqëria,” tha ai. “Është një thirrje që përsëritet dhe nuk do të lodhemi së përsërituri,” shtoi Lilaj.

Mbi 40 mjekë dhe infermierë janë infektuar me COVID-19 që nga fillimi i epidemisë në Shqipëri dhe Lilaj thekson se ata mbeten kategoria më e rrezikuar nga epidemia.

“Absolutisht, çdo person është i rrezikuar, por mjekët duke qenë pranë të sëmurëve me COVID-19 janë akoma më shumë të rrezikuar, [sepse] sa do që të marrësh masa mbrojtëse, në një moment të caktuar këputet diçka dhe t’i infektohesh,” tha Lilaj.

“Ka patur shumë mjekë që janë infektuar, fatmirësisht një pjesë e mirë e tyre janë shëruar dhe një pjesë janë drejt shërimit, por kjo është detyra jonë dhe ne nuk do të stepemi, por do të vazhdojmë trajtimin e sëmurëve, pavarësisht rrezikut të lartë të infektimit edhe nga ana jonë,” përfundoi ai. /BIRN