Qeveria Shqiptare dhe Qeveria Federale e Gjermanisë kanë nënshkruar mes tyre dy marrëveshje tepër të rëndësishme sa i takon sektorit të ujësjellës-kanalizimeve, që priten të kenë një ndikim të drejtpërdrejtë në jetën e qytetarëve shqiptarë. Marrëveshjet u nënshkrua nga ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku dhe ambasadori gjerman në Tiranë, Peter Zingraf.

Duke shprehur falenderimet për mbështetjen, që Gjermania i ka dhënë Shqipërisë ndër vite, ministrja Balluku tha se dy marrëveshjet e firmosura sot vijnë në kuadër të zbatimit të reformës kombëtare në sektorin e ujësjellës-kanalizimeve.

“Gjermania është një ndër partnerët më të rëndësishëm strategjik të Shqipërisë dhe partneri më i madh përsa i përket mbështetjes financiare në sektorin e ujësjellës-kanalizimeve. Dy marrëveshjet, që firmosim sot vijnë në kuadër të zbatimit të reformës kombëtare në këtë sektor, me qëllim përmbushjen e kërkesave të legjislacionit europian për ujin. ‘Programi V për infrastrukturën komunale’, është në vijim të katër programeve të mëparshme dhe mbështetet në suksesin, që ato kanë pasur në përmirësimin e ndjeshëm të furnizimit me ujë, në zonat ku është investuar”, u shpreh Balluku.

Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë bëri të ditur se qytetet kryesore të vendit, të cilat kanë përfituar nga programet e mëparshme, do të përfshihen përsëri edhe në këtë program të pestë, nëpërmjet të cilit do të kenë mundësi të përfundojnë rehabilitimin e plotë fizik të rrjetit të kanalizimeve të qyteteve si dhe rehabilitimin e sistemit të ujësjellësve në pjesët e zonave rurale.

“Marrëveshja e dytë, që nënshkruajmë sot ka si objektiv parësor zbatimin e parimeve udhëzuese të reformës së sektorit të ujësjellës-kanalizimeve nga ana e aktorëve kombëtarë e bashkiakë, veçanërisht orientimin në mënyrë të koordinuar drejt performancës dhe përgjegjshmërisë. Ky program është krejtësisht i orientuar drejt konsumatorit dhe performancës së shërbimeve të furnizimit me ujë, si fondi i garancisë për reformën e sektorit të ujësjellës kanalizimeve. Shoqëritë e ujësjellës-kanalizimeve do të marrin mbështetje institucionale, për forcimin e kapaciteteve dhe përmirësimin e reformës me qëllim përmbushjen e kritereve të programit”, nënvizoi Balluku.

Nga ana e tij, ambasadori Zingraf tha se në fokus të mbështetjes së Qeverisë Federale Gjermane do të jenë 11 ndërmarrje të ujësjellësve, të cilat mbulojnë 80 përqind të popullsisë në Shqipëri duke përfshirë këtu edhe formimin dhe kualifikimin e ekspertëve në mënyrë që këta të fundit të mund të reagojnë më mirë ndaj kërkesave të sektorit.

“Në fokus të projektit do të vazhdojë të mbetet mbështetja e 11 ndërmarrjeve më të mëdha të ujësjellësve, përmes të cilave mbërrihet në më shumë se 80 përqind të popullsisë së Shqipërisë. Në këtë mënyrë do të mbërrijmë, duke pasur efekte pozitive në jetën e shumë qytetarëve shqiptarë. Përmes masave të mirë orientuara në formimin dhe kualifikimin e ekspertëve synohet, që këta të fundit të mund të reagojnë më mirë ndaj kërkesave të sektorit. Po kështu, me ngritjen e kapaciteteve synohet aftësimi i institucioneve për të menaxhuar në mënyrë të përshtatshme edhe investimet në kuadër të bashkëpunimit financiar”, u shpreh ambasadori Peter Zingraf.

“Programi Infrastruktura Komunale V”, që përfshin bashkitë Shkodër, Lezhë, Kamëz, Elbasan, Fier, Lushnjë, Berat, Kuçovë, Gjirokastër, Sarandë dhe Vlorë financohet nga Qeveria Gjermane nëpërmjet KfW, Qeveria Zviceriane nëpërmjet SECO, Bashkimi Europian nëpërmjet WBIF dhe IPA 2018. Programi në vetvete do të implementohet në dy faza, faza përgatitore dhe faza e zbatimit.