Në një vit në Shqipëri prodhohen 26 mijë tonëqese plastike. Ministri Blendi Klosi në një takim në Fakultetin e Mjedisit ka theksuar se që nga viti 2020 nuk do të lejohet me qarkullimi i këtij produkti.

Në të gjithë botën prodhohen 10 mln qese plastike në minutë, ndërsa në Shqipëri përgjatë një viti prodhohen 26 mijë tonë.

Duke marrë parasysh efektet negative që shkakton produkti, Ministria e Mjedisit dhe Turizmit kërkon të ndalojë përdorimin duke nisur nga viti 2020.

"Ne sot jemi pis dhe është e pafalshme që Shqipëria e vitit 2019, Shqipëria në dyert e BE të ketë nam kaq të keq kudo në botë trajtimin e mjedisit, trajtimin e mbetjeve urbane, luftën kundër qeseve plastike. Nisma që dua të lançoj është shpallja e Shqipërisë si vendi i parë evropian pa qese plastike në vitin 2020", tha Klosi.

Gjatë aktiviteti ku u lançua nisma “Qesja e Fundit”, zv.ministrja e Turizmit ngriti problemin e mungesës së inxhinierëve të mbetjeve urbane.

"Është shumë e nevojshme që njohuritë e këtyre inxhinierëve për çështjeve të mjedisit dhe specifikisht për menaxhimin e mbetjeve urbane të jetë në një nivel tjetër shkencor. Për herë të parë do të na duhet të nxjerrim inxhinierë për menaxhimin e mbetjeve urbane në vend."

Takimi u bë në ambientet e Fakultetit të Mjedisit, nga ku ministri kërkoi mbështetjen dhe bashkëpunimin e studentëve për këtë kauzë. Në mënyrë që në qershor të 2020-s të bëhemi vendi i parë në Europë pa qese plastike.