Shqipëria renditet ndër vendet me nivel të lartë të përhapjes së virusit të gripit në Evropë. Vendi ynë së bashku me Greqinë, Slloveninë dhe Luksemburgu paraqiten me të kuqe në hartën e vendeve evropiane me rrezikshmërinë më të lartë të prekjes nga gripi.

Institucionet tona shëndetësore kanë raportuar se virusi A me dy nëntipet e tij Ah1N1 dhe Ah3N2 dhe Virusi B po qarkullojnë me intensitet të lartë aq sa ekspertët vlerësojnë se në vend ka epidemi gripi. Në një javë raportohen të jenë prekur 25 mijë persona nga infeksionet respiratore.

Por ndryshe nga Greqia ku raportohen të kenë humbur jetën 38 persona, në Shqipëri autoritetet raportojnë vetëm dy humbje jete, dy gra mbi 60 të cilat janë konfirmuar se ishin me sëmundje kronike dhe ishin prekur edhe nga virusi i gripit. 

E ndërsa të shumtë janë pacientët që paraqiten në qendrat shëndetësore apo urgjenca me simptomat e gripit, autoritetet evropiane dhe ato shqiptare kanë një vëmendje të shtuar për të parandaluar përhapjen e koronavirusit. Deri tani në Evropë janë verifikuar disa raste, fatmirësisht nuk ka ende një numër të konsiderueshëm të prekurish, ndryshe nga ç’ka ndodhur në vatrën e koronavirusit në Kinë, ku rezultojnë më shumë se 1000 të vdekur dhe mijëra të prekur.