Rritja e sensibilitetit të publikut ndaj procesit të Vetting-ut është shoqëruar me shtimin e vazhdueshëm të denoncimeve të qytetarëve për gjyqtarët e prokurorët.

Për periudhën janar shtator, pranë Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, organit kryesor të Vetting-ut, janë depozituar mbi 1,400 denoncime ndaj magjistratëve që i janë nënshtruar procesit të rivlerësimit, duke bërë që shifra totale e denoncimeve të arrijë në afro 2 mijë.

Numri i denoncimeve është rritur veçanërisht gjatë periudhës qershor korrik,  fazë që përkon edhe me përshpejtim të seancave dëgjimore dhe vendimeve nga ana e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit. 

Sipas të dhënave zyrtare të KPK, për muajin qershor janë paraqitur 170 denoncime nga qytetarët, në korrik 224,  në gusht 106, ndërsa në shtator mbi 180.  

Shifrat thuajse janë dyfishuar nga tre muajt e parë të vitit kur totali i denoncimeve ishte rreth 1 mijë, ndërkohë që ato kanë vijuar dhe në tetor.

Sipas disa organizatave jofitimprurëse të kontaktuara nga Scan, rritja e numrit të denoncimeve lidhet jo vetëm me shtimin e ritmeve të procesit të rivlerësimit të gjyqtarëve e prokurorëve gjatë muajve të verës, por edhe me ndërgjegjësimin e qytetarëve për t’ju drejtuar autoriteteve lidhur me padrejtësitë që kanë pësuar. 

Për t’u shënuar është se disa qytetarë denoncues kanë marrë pjesë edhe gjatë seancave dëgjimore të zhvilluara nga KPK me magjistratët që i janë nënshtruar Vetting-ut.

Mes tyre, sipas Komisionit, ka pasur denoncime të vlefshme, të cilat u kanë ardhur në ndihmë trupave gjykuese, ndërkohë që çdo denoncim i bashkëlidhet dosjes së subjektit të rivlerësimit, të cilit i takon denoncimi dhe është trupa gjykuese që, në zbatim të ligjit, shqyrton dhe vendos për të.