ITALI, 14 prill 2013 – Fraktura të shumta në krahë dhe këmbë i ka shkaktuar një shqiptar fqinjit të tij italian. Ngjarja e rëndë është regjistruar në qytezën e Pavullos.

Sipas policisë italiane grindja mes dy komshinjve ka nisur për motive të dobëta. Pas sharjeve, palët kanë kaluar në përdorimin e grushtave. Shqiptari është ndihmuar edhe nga vëllai i tij në rrahjen e 47 vjeçarit italian. Shtetasi italian është shtruar me urgjencë në një spital të Bolonjës dhe i është nënshtruar ndërhyrjes kirurgjikale.

Menjëherë pas marrjes së njoftimit karabinierët kanë shkuar në vendngjarje dhe kanë prangosur shqiptarin, emri i të cilit nuk bëhet i ditur. Ai akuzohet për plagosje të rëndë, ndërkohë që vëllai i tij që akuzohet si bashkëpunëtor në veprën penale është shpallur në kërkim.

/m.b. Agjencia e lajmeve “Dyrrah”/