Një 65-vjeçar shqiptar me banim në Romë humbi jetën nga koronavirusi  Vetë bashkëshortja e tij, Anila, e dha lajmin e hidhur përmes një një postimi në Facebook, në gjuhën italiane.

“Miq të dashur, prindër e kolegë, me dhimbje të madhe ju informoj se nga COVID-19 humbi jetën bashkëshorti im Adrian. Ishte një burrë dhe baba i dashur, djalë dhe vëlla i pazëvendësueshëm, një mik besnik për shumë, dhe një prind gjithmonë i gjindshëm dhe një koleg i ndershëm dhe i çmuar. Për mua ishte një burrë, shok, vëlla, mik, që më ka qëndruar pranë për 33 vite të lumtura me fëmijët tanë, Klevis e Davide”, shkruan Anila.

Adrian Preza ishte 65 vjeç, i martuar me dy fëmijë. Sapo kishte dalë në pension pas shumë vitesh pune pranë Organizatës Botërore të Ushqimit e Bujqësisë në Romë. Virusi e goditi në mënyrë mjaft agresive duke i marrë jetën brenda pak ditësh.

“Do kisha dashur që të ndaja me të një tjetër udhëtim 33-vjeçar, së bashku me vendosmërinë e tij, forcën e vullnetit, pozitivitetin, ndershmërinë, përkushtimin, humorin, entuziazmin që do të vazhdojë të na mbështesë, duke u dhënë gëzim ditëve tona”, shkruan bashkëshortja e tij Anila.

I gjithë komuniteti shqiptar në Romë është i tronditur nga ky lajm. Në rrjete sociale janë të shumtë familjarët, miqtë, kolegët e të afërmit që shprehin ngushellimet per ndarjen para kohe nga jeta të Adrianit.

65-vjeçari jetonte me familjen prej shumë vitesh në Romë dhe ishte një person i dashur, i respektueshëm, përherë i pranishëm në çdo event e aktivitet të organizuar nga shqiptarët e Italisë.