Policia e Durrësit ka zbuluar një rast të kultivimit të bimëve narkotike në një shtëpi të marrë me qira. Në pranga ka përfunduar shtetasi P.Ç. 62 vjeç, që kishte marrë me qira një shtëpi në zonën e plazhit dhe papafingon e kishte përshtatur për kultivimin e kanabisit.

“Në vijim të kontrolleve të pandërprera dhe punës për parandalimin e kultivimit të bimëve narkotike, në bazë të informacioneve të marra në rrugë operative, nga stacioni i Policisë Plazh u bë i mundur finalizimi i operacionit të koduar “Papafingo”, në kuadër të të cilit u arrestua në flagrancë shtetasi P. Ç., 62 vjeç, banues në Durrës. Arrestimi i tij u bë pasi gjatë kontrollit në banesën e marë me qira (papafingo), në lagjen nr. 13, Durrës, u konstatua se ky shtetas e kishte përshtatur banesën,  me aparatura që shërbejnë për kultivimin e bimëve narkotike dhe kishte ndërhyrë në matësin e energjisë elektrike”,- njofton policia.

Gjithashtu u proceduan penalisht, për veprën penale “Shpërdorim detyre”, shtetasit E. E., 34 vjeç banues në Xhafzotaj dhe S. D., 38 vjeç, banues në Durrës, me detyrë elektricist pranë OSHEE-së, të cilët nuk kanë përmbushur detyrën sipas ligjit, pasi nuk kanë kontrolluar linjën elektrike dhe matësin e energjisë elektrike.

“Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan bimë narkotike canabis sativa dhe pajisje që shërbenin për kultivimin e tyre”,- njofton policia.

Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës, për veprime të mëtejshme.