Mëngjesin e sotëm, si çdo ditë, në portin e Durrësit kanë mbërritur dy tragetet e linjës Bari-Durrës. Sezoni veror ka rritur ndjeshëm numrin e udhëtarëve. Pjesa më e madhe janë bashkëatdhetarët tanë, që vijnë për të kaluar pushimet pranë njerëzve të afërt. Ndonëse, Shqipëria ka shumë probleme, ata thonë se do të riktheheshin gjithnjë këtu, sepse është vendi i tyre. 

Mbi 12 mijë udhëtarë kanë mbërritur në Durrës me tragete gjatë javës së parë të muajit korrik, ndërsa rreth 6500 të tjerë i kanë shfrytëzuar ato për të lundruar drejt porteve të Italisë. Vetëm ditën e dielë, të javës së kaluar, tragetet që mbërritën nga Bari dhe Ankona janë shfrytëzuar nga 3376 pasagjerë vendas dhe të huaj, me 717 autovetura gjithsej.

Nga Qendra e Informacionit në APD mësohet se gjatë kësaj jave disa nga tragetet do të fillojnë të lundrojnë dy herë në 24 orë, ç'ka pritet të lehtësojë fluksin e madh të udhëtarëve gjatë stinës së verës.

K.H.