Të paktën 78 persona dyshohet se u helmuan një ditë më parë nga uji i pijshëm në Bulqizë. Ata janë paraqitur në spital me të vjella. Të paktën 24 prej të shtruarve në spital janë fëmijë.

Drejtori i spitalit Hazis Jella thotë se s’mund të flasë për shkakun e helmimit, pasi janë ende në pritje të analizave. Paraprakisht dyshohet se situata mund të jetë shkaktuar nga uji i pijshëm.

“Shkalla e helmimit, shkon nga e lehtë deri te ajo mesatare. Pacientët janë kryesisht nga lagjja e vjetër e qytetit. Do të duhet të presim përgjigjen e analizave për të përcaktuar shkakun e këtij helmimi”,- tha mjeku.

Rasti i helmimeve masive u publikua dje, ku dhjetëra persona u paraqitën në spitalin e qytetit që prej mbrëmjes së të enjtes. Të paktën 20 persona u diagnostikuan me simptoma të rënda.