25/01/2021 - 16:14
Kryebashkiaku i Shijakut, Elton Arbana thotë se po merren masat e nevojshme për të ndihmuar familjet që janë përmbytur si pasojë e daljes së lumit Erzen nga shtrati.
Përmes një postimi në Facebook, Arbana njofton se është kërkuar mbështetje nga Ministria e Mbrojtjes.
"Bashkia Shijak është pranë familjeve që rrezikojnë përmbytjen si pasojë e daljes nga shtrati të lumit Erzen. Po merren masat e nevojshme për t'ju ardhur në ndihmë këtyre banorëve. Kemi kërkuar mbështetjen e Ministrisë së Mbrojtjes nëse do të jetë e nevojshme për evakuimin e tyre. Po punojmë për të rikthyer sa më shpejt situatën në normalitet. Ku ka vullnet, ka zgjidhje!", shkruan ai.
Situata e rënduar në terren ka bërë që mbledhja e Këshillit Bashkiak të Shijakut, e parashikuar për sot, të shtyhet për një ditë tjetër.
Lajmin e ka dhënë vetë Arbana në një postim të dytë në rrjete sociale.
"NJOFTIM
Për shkak se jemi në gatishmëri të situatës së përmbytjeve në Shijak, mbledhja e caktuar sot me Këshillin bashkiak do të shtyhet për ditët në vazhdim.
Faleminderit për mirëkuptimin!"
Për shkak të reshjeve të dendura të shiut gjatë fundjavës, disa banesa në Shijak u zgjuan nën ujë këtë të hënë. Sipas të dhënave të para që na vijnë nga banorët e zonës, bëhet fjalë për 10 familje të izoluara.
/portali DurresLajm/