Pas ambasadës amerikane në Tiranë, edhe ajo gjermane ka përshëndetur vendimin e Krimeve të Rënda për dënimin e grupit të Shullazit me 55 vite burg në total, nga të cilat 14 u dhanë për Emiljano Shullazin.

Ambasadorja e Gjermanisë, Susanne Schutz, shprehet se askush nuk mund të qëndrojë mbi ligjin, ndësa i ka bërë apel drejtësisë shqiptare që të mos tërhiqet në burgosjen e elementëve kriminalë.

 "E kam ndjekur me shumë vëmendje procesin ndaj pesë të pandehurve në çështjen Emiljano Shullazi dhe përshëndes faktin që tanimë është marrë një vendim në shkallë të parë. Vendimet e Gjykatës për Krimet e rënda të bëra të ditura ditën e djeshme tregojnë, që askush nuk qëndron mbi ligjin, sikundër nënvizojnë forcën e shtetit ligjor në Shqipëri. Është e rëndësishme që drejtësia shqiptare të vazhdojë të veprojë kundër krimit të organizuar mbi bazën e ligjit dhe të drejtës. Përmirësimi i bilancit të sukseseve në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit është një nga detyrat qendrore të Shqipërisë në rrugën e saj drejt Bashkimit Evropian."