Lirimi nga detyra i drejtorit ekzekutiv të portit të Durrësit Artjan Qirici erdhi ditën e sotme si “një rrufe në qiell të hapur”.

Madje shkarkimi ka qenë një befasi edhe për vetë Qiricin.

Ai e nisi si gjithnjë ditën e punës me axhendën e zakonshme, madje paradite mori pjesë në analizën e punës gjatë vitit 2017 të Forcës së Sigurisë Portuale, i shoqëruar nga prefekti i qarkut të Durrësit Roland Nasto dhe drejtori i FSP-së, Sokol Sula.

Madje pas takimit, Qirici dha dhe një deklaratë për mediet, gjë që vërteton se ai nuk kishte aspak dijeni për largimin e tij nga detyra pas vetëm 4 muajsh në krye të portit më të madh në vend.

Pas analizës vjetore të FSK-së, që është pasqyruar edhe nga Autoriteti Portual i Durrësit (duke iu referuar Qiricit si drejtori ekzekutiv i portit), ai është nisur drejt Tiranës, pa ditur se kjo e sotmja do të ishte dita e fundit në detyrë.

Burime për DurrësLajm bëjnë të ditur se as Qirici dhe asnjë nga vartësit e tij në port nuk ishin në dijeni të këtij vendimi të çuditshëm të Tiranës zyrtare, vetëm 4 muaj pas emërimit të tij në këtë post, në tetor të vitit 2017.

Asnjë detaj nuk është bërë publik nga shkarkimi nga detyra i Qiricit, ndërkohë që në vend të tij është emëruar ish-drejtori i AKU-së Afrim Bakaj.