Nga ora 05:00 e mëngjesit deri në orën 13:00 të mesditës së kësaj të shtune të pazakontë, qytetarët e Durrësit, si kudo në vend, duhej të lëviznin nga shtëpitë për shërbimet e tyrë të përditshme e më së shumti për blerje e për furnizim me bukë për dy ditët e fundjavës që do të jenë të izoluar. Deri në orën 05:00 të mëngjesit të së hënës, çdo qytetar duhet të qëndrojë në shtëpi, për të mos lejuar përhapjen e koronavirusit.

Por,këto orë të dedikuara për nevojat jetike apo për punë, qytetarët durrskaë i kanë shfrytëzuar dhe për pak shëtitje. Dhe ku tjetër veçse buzëdetit… Nga një vëzhgim i bërë sot, shihet qartë se qytetarët i kanë shfytëzuar këto orë lirie për të bërë shëtitije, që është e ndaluar.

Kjo është vetëm një pjesëz e një të përditshmeje që do të mbahet mend për frikën që shkaktojnë të dhënat e fundit në luftën kundër COVID-19.

Deri në orën 13:00, në nxitim me kohën dhe në përpjekje për të blerë ushqimet e duhura në mbrojtje të shëndetit, në këto ditë të vështira të pandemisë globale të COVID-19, qytetarët së pari i janë drejtuar tregjeve të frura-perimeve.

Në tregun e madh të fruta-perimeve në qytetin e Durrësit, raftet janë zbrazur që në orën 12:00. E njëjta gjë ndodhi në furrat e bukës dhe dyqanet ushqimore.

Qytetarë që përpiqen të blejnë çdo gjë që u nevojitet, duke u përballur edhe me çmime më të larta. Në brendësi të tregut distancat e qëndrimit të qytetarëve nga njëri-tjetri vijuan të mos respektohen dhe këtë e thonë edhe vetë qytetarët, pavarësisht se nuk mungon prezenca e uniformave të policisë.

Me shqetësimin e vazhdueshëm të rrezikut nga COVID-19, me izolimin total, mbylljen e shumë bizneseve dhe aktiviteteve, distancën mes njerëzve të dashur; qytetarët urojnë që gjithçka të mbarojë shumë shpejt. E deri në mbarim të kësaj lufte, të gjithë duhet të qëndrojnë mbyllur në shtëpi.