37-vjeçarja Azbije Kuka, e cila humbi jetën ditën e premte, pasi u godit me thikë nga bashkëshorti i saj Ardiani, do të shoqërohet sot në orën 14.00 në banesën e fundit.

Ceremonia e varrimit do të organizohet nga familjarët e gruas, ndërkohë që nuk dihet nëse do të marrin pjesë edhe familjarët e bashkëshortit vrasës.

Ardian Kuka u gjet i mbytur në sektor Rinia, në orët e para të mëngjesit të sotëm. Gazetarja e DurrësLajm, duke iu referuar burimeve policore bën të ditur se dyshohet që 37-vjeçari ka shkuar me makinën e OSHEE-së në breg të detit menjëherë pas kryerjes së krimit.

Trupi i 37-vjeçarit është gjetur rreth 400 metra larg bregut dhe dyshohet se trupi ka qëndruar për disa orë në ujë, pasi ka qenë shumë i fryrë.

Nuk dihet ende nëse bashkëshorti vrasës ka konsumuar diçka para se të futej në ujë, pasi ai njihej si notar i mirë dhe ishte e vështirë që të mbytej. Sipas policisë, në trupin e tij nuk kishte shenja dhune.

Do të jetë ekspertiza mjeko-ligjore që do të zbulojë nëse 37-vjeçari ka konsumuar alkool apo lëndë helmuese para se të futej në det. Duket se vetëvrasjen ai e ka kryer në kushtet e një tronditje të thellë.