Si u riciklua një vrasës nga organet e drejtësisë shqiptare

17/09/2019 - 09:45

Gafat e drejtësisë shqiptare nuk kanë të sosur, madje shpeshherë këto gafa kanë sjellë lirimin e killerave të njohur nga burgu, të cilët pasi janë “ricikluar” në shoqëri, kanë kryer sërisht vrasje. I tillë është rasti i Olger Mustafa që në Korçë njihet dhe si “Ger Muçi”. Mustafa, momentalisht ndodhet në burg pasi është marrë i pandehur nga prokuroria e Korçës për akuzën e “Vrasjes me dashje” në dëm të Altin Balliut. Kjo vrasje që ka ndodhur më 17 janar 2019 në qytetin e Korçës është realizuar nga Mustafa pikërisht gjatë kohës kur ky i fundit ka qënë në periudhë prove dhe që domosdoshmërisht duhet të mbante kontakte me shërbimin e provës. Por çfarë ka ndodhur? Pse Olger Mustafa, ky i dënuar me 12 vite burgim në 2010-n për tentativën e vrasjes së Marko Hysollit dhe i liruar me kusht nga gjykata e Korçës, nuk ishte vënë në shërbim prove dhe s’moniturohej nga ky shërbim.

Pse u favorizua në këtë mënyrë Mustafa, aq sa iu la mundësia që ai të kryente një krim të dytë akoma dhe më të rëndë nga ai i pari, për të cilin ishte dënuar me 12 vite burgim. “Shqiptarja.com” ka mundur të hulumtojë rreth këtij rasti duke mësuar se Olger Mustafa pasi është liruar me kusht nga gjyqtarja e Korçës Flojera Davidhi, nuk është vënë asnjë ditë në kontroll nga shërbimi i provës. Një fakt i tillë është zbuluar nga një korrespodencë mes drejtueses së prokurorisë së Korçës Dhorina Theodhori dhe drejtorit të Shërbimit të Provës Korçë Kiço Koço.

Kjo korespodencë mes dy zyrtarëve të drejtësisë në Korçë, është zhvilluar mes datës 14 dhe 15 maj 2019, pra katër muaj pas vrasjes së Altin Balliut dhe dy muaj pas vetëdorëzimit në polici të autorit të këtij krimi Olger Mustafa. Në kërkesën që drejtuesja e prokurorisë së Korçës i drejton titullarit të shërbimit të provës në këtë qytet Kiço Koço thuhet se:”…për nevoja të hetimit të procedimit penal me nr. 54 të vitit 2019 për veprën penale të “Vrasjes me dashje” dhe “Mbajtjes pa lejë të armëve dhe municionit”, kërkojmë nga ana juaj të na vihet në dispozicion një kopje e dosjes dhe praktikës për të vendosurin në shërbim prove, shtetasin Olger Mustafa…”.

Një ditë pas dërgimit të kësaj kërkese në prokurorinë e Korçës më 15 maj 2019 drejtori i shërbimit të provës në Korçë, kthen përgjigje. Një përgjigje që tregon se institucionet tona janë mjaft të dobëta dhe aspak nuk kryejnë detyrën. Përgjigjja tregon situatën se ku ka rënë drejtësia shqiptare, duke shkuar në kufinjtë e “ulërimës”. Drejtori Kiço Koço i shkruan Dhorina Theodhorit se:”…në përgjigje të shkresës tuaj, ku na kërkoni një kopje të dosjes dhe praktikës për shtetasin Olger Mustafa, ju bëjmë me dije se për këtë person Zyra Vendore e Shërbimit të Provës Korçë, nuk ka asnjë urdhër ekzekutimi dhe për këtë arsye ky shtetas nuk është vënë në shërbim prove…”.

Duke lexuar këtë përgjigje ka shumë gjasa që prokurori i ekzekutimeve të vendimeve penale në Korçë, të mos ketë çuar për ekzekutim në shërbimin e provës, vendimin e datës 30 nëntor 2017, që lironte nga qelia Olger Mustafa, duke e urdhëruar këtë të fundit të qëndronte në shtëpi dhe të mbante kontakt me shërbimin e provës. Vendimi i nëntorit 2017 i falte dy vite burg të mbetur Mustafës dhe e detyronte atë të qëndronte vetëm në shtëpi, pasi po të lexosh këtë vendim gjyqësor, këtij të dënuari i rrezikohej jeta, pasi vuante nga një sumendje e quajtur “Hernia Diskale”, e cila ka shërbyer si alibi për të dalë nga burgu.

Por sapo Mustafa, ka lënë qelinë ai jo vetëm që nuk ka qëndruar në shtëpi ashtu siç ka urdhëruar gjyqtarja Flojera Davidhi, por nuk është vënë as në shëbim prove. Olger Mustafa qarkullonte në rrugët e qytetit të Korçës dhe jo vetëm i armatosur dhe askush nuk e ndalonte dhe i kërkonte llogari. Derisa më 17 janar 2019 Olger Mustafa ka qëlluar me katër plumba, dy në kokë, një në gjoks dhe një në kofshë, të riun Altin Balliu nga fshati Slabinjë e Pogradecit.Ngjarja që tronditi Korçën vetëm pak ditë pas Vitit të Ri, ka ndodhur për shkak të një zënke për bllokimin e rrugës, ku autori i krimit ka filluar të konfliktohet me viktimën Altin Balliu dhe shokët e tij që ndodheshin në makinë.

Marrë nga "Shqiptarja.com"

/portali DurresLajm/

Na bëni like në facebook!: 

Lajme nga e njëjta kategori

Moderatorja Ola Bruko është larguar nga drejtimi i emisionit "Shqiptarët për Shqiptarët" në News 24. 

Pas publikimit nga “Le Iene” të rastit të fëmijës shqiptar Alvin Berisha, që prej 5 vitesh gjendet në një kamp të burgosurish, në Siri ka

Për këtë të shtunë, MeteoAlb parashikon se mot kryesisht i kthjellët dhe vranësira të lehta do të mbizotërojnë gjatë pjesës së parë të di

Moshapja e bisedimeve më Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut ka sjellë edhe reagimin e Departamentit Amerikan të Shtetit.

Në institucionin e Presidentit të Republikës, në prani të përfaqësuesve të institucioneve të pavarura, ambasadorëve si dhe përfaqësuesve

"Zyra Vendore Arsimore Durres   Sot u finalizua me sukses procesi i votimit ne dy ambientet e ngritura ne Gjimnazin Leonik T

“Ministrja e Arsimit, Sportit dhe Rinisë, Besa Shahini zhvilloi një vizitë në Universitetin “Aleksandër Moisiu” në Durrës (UAMD).

Pesë muaj pas zgjedhjeve, Asambleja e Akademisë së Shkencave i ka dhënë këtë të premte Skënder Gjinushit të drejtën për të ushtruar detyr

Ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj, i pranishëm në Dropull, ku inspektoi zyrën e aplikimeve biometrike, iu përgjigj edhe pyetjeve të ga

Një shpërthim tritoli ka ndodhur në rrugën "Ramazan Bogdani" në kryeqytet, në zonën e njohur si "Frigoriferi".